Shpërndaje në: Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, pasi dyshohet që të njëjtit janë përfshirë në rrahjen e Nenad Rashkoviqit – serbi që pretendon se u keqtrajtua fizikisht ditë më parë.
Siç thuhet në njoftim, hetimet e IPK-së kanë filluar duke u bazuar në raportimet mediale dhe deklaratat publike të qytetarit serb. “IPK ka filluar këtë hetim paraprak me qëllim të verifikimit të pretendimeve dhe sqarimit të të gjitha fakteve dhe rrethanave relevante që lidhen me këtë rast respektivisht veprimeve policore gjatë një operacioni policor të zhvilluar në Dren të Zubin Potokut.
Duke mos paragjykuar rezultatin e hetimit, qëllimi i kësaj faze është mbledhja dhe vlerësimi i të gjitha informacioneve dhe provave të disponueshme në përputhje me mandatin ligjor të Inspektoratit”, thuhet mes tjerash në njoftimin e IPK-së.
Paraprakisht, IPK-ja ka thënë për KOHËN se hetuesit e saj nuk ishin lejuar nga mjeku kujdestar në dy vizitat kur tentuar ta intervistojnë në spital Nenad Rashkoviqin, i cili pretendon se ishte sulmuar nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë një operacioni në Zubin-Potok.
Pasditen e 12 gushtit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pati vizituar Rashkoviqin në spital në Beograd dhe tha se Policia “e Kurtit, pa asnjë arsye e ka rrahur gati për vdekje” atë.
Edhe Arbëri 3 min. më parë Hoti për Kurtin: Vetëm dikush kundër ekzistencës së shtetit, e katandis rendin kushtetues në këtë gjendje Ditëve të fundit, në Zubin-Potok janë kryer kontrolle dhe arrestime të personave të dyshuar për krime lufte, pasi në këtë komunë janë identifikuar disa lokacione ku dyshohet se mund të ndodhen varreza masive nga lufta e viteve 1998-’99 në Kosovë.
Prona e Rashkoviqit ndodhet pranë dy lokacioneve ku së fundmi janë gjetur mbetje mortore, të cilat dyshohet se kanë lidhje me krimet e luftës në Kalludër të Vogël dhe Jabukë.
