Kriza te Trepça, Torcida shpërthen dhe u bën thirrje lojtarëve të

0%

Tifozët e Trepçës, përmes grupit të tyre Torcida, kanë reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar në klub, duke u bërë thirrje futbollistëve që të mos vazhdojnë të paraqiten në klub përderisa, sipas tyre, problemet financiare dhe ato menaxheriale nuk po zgjidhen.

Në reagimin e publikuar drejtuar opinionit dhe futbollistëve, Torcida ka deklaruar se gjendja në klub tashmë është bërë e dukshme për të gjithë, ndërsa kërkesa e tyre për largimin e kryesisë po gjen mbështetje gjithnjë e më të madhe. “Gjendja e klubit tashmë po shihet qartë nga të gjithë. Kërkesa jonë për largimin e kryesisë tashmë është duke u përkrahur gjerësisht”.

“Sot kemi një kërkesë ndaj lojtarëve tanë, për të cilët kemi respektin maksimal, duke ju falënderuar për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm gjatë këtyre viteve. Jeni pikërisht ju ata që e keni mbajtur klubin gjallë”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas Torcidës, futbollistët janë përballur prej kohësh me vështirësi financiare, ndërsa vonesat e pagave kanë bërë që disa prej tyre të detyrohen të gjejnë edhe punë të dyta për të siguruar të ardhura për familjet e tyre. “Ne e dimë se pothuajse secili prej jush është detyruar të punojë edhe në një punë të dytë për ta mbajtur familjen”.

“Tani, kur ende nuk i kanë kryer pagesat ndaj jush, ne e dimë se edhe juve ju është mbushur kupa. Ju kanë humbur motivimin dhe krenarinë”. Në fund, tifozët kanë bërë thirrje të drejtpërdrejtë për bojkotimin e paraqitjeve në klub, duke kërkuar nga futbollistët që të mos vazhdojnë të luajnë nën këto kushte.

“Prandaj, kërkesa jonë ndaj jush është që të mos vazhdoni të paraqiteni në klub, pasi ata po ju përdorin për ta mbajtur klubin peng”. “Mos e ulni më krenarinë tuaj.

Nëse ju nuk pranoni të vazhdoni të luani nën këto kushte, atëherë edhe atyre u ka ardhur fundi, ashtu siç po shihet tashmë!” Reagimi i Torcidës vjen në një moment të tensionuar për Trepçën, me tifozët që po kërkojnë ndryshime në drejtimin e klubit.

Përplasja me kryesinë duket se po thellohet, ndërsa futbollistët janë tashmë në qendër të situatës për shkak të pretendimeve për pagat e vonuara dhe vështirësive financiare.

Burimi: Telegrafi