Një gjykatë belge ka kërkuar katër vite burg për dy shqiptarët të cilët kryen 14 vjedhje gjatë periudhës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, vitin që lam pas. Dy shqiptarë, 29 dhe 51 vjeç, akuzohen se kanë kryer ose tentuar të kryejnë 14 vjedhje në banesa në Flandrën Perëndimore dhe Lindore. Mediat belge shkruajnë se dyshja u kap në flagrancë më 2 janar në Gistel.
Nga banesat dyshohet se janë grabitur bizhuteri, para, rreth tetë kilogramë monedha argjendi dhe sende të tjera me vlerë. Disa prej familjeve që janë prekur nga vjedhjet kanë shprehur edhe rëndesën emocionale. “Ngjarjet kanë ndodhur gjatë periudhës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Pikërisht në një periudhë kur njerëzit mendojnë për paqen në tokë.
Të pandehurit e kanë shkatërruar plotësisht këtë ide.” , deklaroi prokurori Lode Vandaele. Prokuroria e konsideron 29-vjeçarin si figurën kryesore të serisë së vjedhjeve dhe ka kërkuar 37 muaj burgim për të, ndërsa për 51-vjeçarin është kërkuar një vit burg, pasi akuzohet për dy raste.
Avokatja e 29-vjeçarit, Nadia Lorenzetti kundërshtoi në përballë trupës gjykuese lidhjen e tij me shumicën e vjedhjeve. Kjo duke argumentuar se të dhënat e kamerave dhe gjurmët e këpucëve nuk janë prova të mjaftueshme. Gjykata penale e Bruges pritet të shpallë vendimin më 27 gusht.
