Një seri prej shtatë tërmetesh ka goditur të martën provincën e Granadës në Spanjë, duke detyruar autoritetet të evakuojnë qendra tregtare, hotele dhe ndërtesa të tjera si masë paraprake. Sipas gazetës “El Mundo”, tërmeti më i fortë arriti magnitudën 4.8 të shkallës Rihter dhe kishte epiqendrën në qytetin Gohar, pranë zonës që u godit edhe të shtunën nga një tërmet me magnitudë 5.0.
Pas lëkundjes kryesore u regjistruan disa pasgoditje të forta, ndërsa autoritetet e Andaluzisë bënë të ditur se në total u regjistruan shtatë tërmete radhazi, katër prej tyre me magnitudë mbi 4.0. Për shkak të aktivitetit sizmik, Shërbimi Shëndetësor i Andaluzisë vendosi të pezullojë përkohësisht një pjesë të shërbimeve në qendrat shëndetësore të provincës së Granadës.
Vizitat mjekësore dhe ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara u shtynë, ndërsa urgjencat dhe shërbimet onkologjike vijojnë të funksionojnë normalisht. Sipas autoriteteve rajonale, tre persona mbetën të plagosur lehtë, mes tyre edhe një i mitur që u dërgua në spital. Lëndimet u shkaktuan nga rënia e pjesëve të ndërtesave pas lëkundjeve.
Shërbimet e emergjencës raportuan se morën më shumë se 500 telefonata nga qytetarët pas tërmetit. Këto lëkundje vijnë pas një jave me aktivitet të shtuar sizmik në zonën e Vega de Granada dhe pjesën jugore të rajonit metropolitan.
Sipas Institutit Kombëtar Gjeografik të Spanjës (IGN), javën e kaluar u regjistruan më shumë se 30 tërmete në këtë zonë, megjithëse shumica ishin me magnitudë të ulët.
