Gjermania hap qendër të re për sigurinë ndaj dronëve

0%

Gjermania hap sot një Qendër për Teknologjinë e Sigurisë së Dronëve, e cila do të fokusohet në kërkimin, zhvillimin dhe testimin e teknologjive të reja për zbulimin dhe mbrojtjen ndaj dronëve të përdorur për qëllime keqdashëse. Qendra do të ngrihet në kompleksin e Qendrës Gjermane të Hapësirës Ajrore (DLR) në Cochstedt, në veriperëndim të Lajpcigut.

Në ceremoninë e inaugurimit pritet të marrin pjesë ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt, ministrja e Kërkimit Dorothee Bär dhe kryeministri i landit Saksoni-Anhalt, Sven Schulze. Së bashku me qendrën e DLR-së në Braunschveig, objekti do të krijojë një strukturë të cilësuar si unike në Gjermani, pasi do të ndërthurë kërkimin shkencor me kërkesat praktike të sigurisë.

Nevoja për forcimin e mbrojtjes ndaj dronëve u theksua së fundmi në aeroportin Leipzig/Halle, ku u zbulua një dron i pajisur me eksploziv mes disa avionëve ukrainas të ngarkesave. Sipas raportimeve, droni ishte kontrolluar në një mënyrë që e bënte të vështirë zbulimin e tij nga sistemet konvencionale.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Prokurorët gjermanë e kanë cilësuar incidentin si një “sulm serioz ndaj infrastrukturës së transportit dhe logjistikës së Gjermanisë”. Ministrat e Brendshëm të qeverisë federale dhe landeve kanë kërkuar përshpejtimin e krijimit të sistemeve efektive të mbrojtjes kundër dronëve. Qendra e re është pjesë e një strategjie më të gjerë gjermane për mbrojtjen nga dronët.

Një nga komponentët është krijimi i një njësie të posaçme kundër dronëve brenda Policisë Federale. Një tjetër është ngritja e një qendre të përbashkët federale dhe rajonale, ku autoritetet e sigurisë dhe institucionet e tjera do të shkëmbejnë informacion dhe do të koordinojnë veprimet.

Komponenti i tretë do të jetë kërkimi në Cochstedt, ku do të testohen teknologjitë për përdorimin e sigurt të dronëve, si edhe sistemet për zbulimin dhe neutralizimin e mjeteve ajrore që përdoren për qëllime keqdashëse.

Burimi: Bota Sot