Shpërndaje në: Kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka thënë se në takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku ka parë vullnetin e LDK-së për t’i sjellë vendit një president të ri e për të evituar zgjedhjet e reja. Gatishmërinë për të propozuar një person që është i respektuar dhe e ushtron me dinjitet funksionin më të lartë shtetëror, e ka shprehur edhe Abdixhiku.
Ai ka treguar se me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje janë dakorduar që në takimin e ardhshëm të shkohet me emra konkretë Gatishmëri për të krijuar stabilitet institucional kanë shprehur Albin Kurti e Lumir Abdixhiku pas takimit që ata patën të martën pasdite në Kuvendin e Kosovës, e që në fokus të tij ishte gjetja e emrit konsensual për postin e presidentit.
Edhe lideri i LVV-së e edhe ai i LDK-së nuk përmenden emra të përveçëm pas takimit. Por, të dy thanë se kanë diskutuar për profilin dhe kriteret që duhet t’i përmbushë një kandidat i propozuar për president.
“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive edhe e pashë vullnetin e LDK-së që vendit t’ia sjellim një president të ri që nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, që duhet të sigurojmë funksionim demokratik të shtetit dhe që për këtë duhet të ndërtojmë mirëbesim.
Diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti sa i përket vlerave, meritave dhe kontributeve në shoqëri për kombin mbarë dhe në profesione të caktuara”, tha kryetari i LVV-së, Albin Kurti pas takimit.
I pyetur nga gazetarët rreth emrave potencialë për president, Kurti ka thënë se partive u duhen konsultime të brendshme për këtë çështje.
“Diskutuam hollësisht, thellësisht për kriteret që duhet t’i ketë figura presidenciale, vëzhguar edhe aspektin e viteve dhe dekadave të historisë sonë më të re, shikuam sektorët e ndryshëm të shoqërisë dhe profesioneve, por meqë është proces shumë i ndjeshëm, pa shkuar në konsultime te subjektet tona, në këtë fazë nuk mund të them më shumë se kaq.
Nuk është ky vendi ku unë mund të flas për emra”. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në takim ishte bashkë me deputetët Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri. Pas takimit me kryeministrin në detyrë e njëherësh kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ai ka thënë se janë dakorduar që në takimin e ardhshëm të shkohet me emra konkretë për presidentin a presidenten e Republikës së Kosovës.
“Nuk duam një president të parëndësishëm por një figurë që është e respektuar dhe e ushtron më dinjitet funksionin më të lartë shtetëror. Kosova ka figura të tilla, por gjendja dhe çështja është shumë sensitive. Kërkuam periudhë diskutuese të brendshme brenda subjekteve tona dhe konsultative me shoqërinë secili në mënyrë e vet para se të vijmë me emra konkretë në takimin e ardhshëm.
E di që fokusi është për emra specifikë, për këtë na duhet ende kohë. E mira është se gjërat janë shumë më të qarta, kërkojmë vetëm stabilitet institucional. U dakorduam që të vijmë me emra konkretë në takimet e ardhshme por në fund të ketë një emër”, ka thënë Abdixhiku. Njësoj si Kurti edhe Abdixhiku deklaroi se në këtë takim nuk është diskutuar për emra por për profile.
Mundësinë e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me Lëvizjen Vetëvendosje, Abdixhiku e ka quajtur çështje të mbyllur. Edhe Arbëri 28 pri 2026 Deputetët çojnë vendin sërish në zgjedhje “Në këtë takim diskutuam me vullnet të mirë për kriteret dhe profilin potencial të presidentit apo presidentes së ardhshme të Republikës së Kosovës.
Ka vullnet të dyanshëm rreth këtij profili se si duhet të duket. Këto kritere janë të qarta; një president që e do Republikën, e mbron Republikën, e ushtron demokracinë në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi vonë shumë, çështja e presidentit duhet ta lirojë Kosovën. Nuk kemi folur për emra”, ka thënë Abdixhiku pas takimit me Kurtin.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka hequr dorë nga mundësia e drejtimit të Kuvendit apo nga pjesëmarrja në Qeveri. Ky subjekt ka vendosur të qëndrojë në opozitë, por ka shprehur gatishmërinë që të ndihmojë në formimin e institucioneve të reja, përshirë edhe zgjedhjen e presidentit/tes.
Ndërkohë dy partitë e tjera, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, kanë refuzuar të gjitha ftesat për takim të Lëvizjes Vetëvendosje. Këto dy subjekte insistojnë vetëm në konsituimin e Kuvendit, ndërsa nuk deklarohen nëse do të votojnë për presidentin e ri. LVV-ja në zgjedhjet e qershorit fitoi 53 vende në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe AAK-ja shtatë.
Partia fituese bashkë me votat e komuniteteve joshumicë ka mundësi ta konstituojë Kuvendin dhe ta formojë Qeverinë. Por, për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë në dy rundet e para të votimit. Nëse dështon zgjedhja e presidentit vendi shkon në zgjedhje të reja.
