‘Tregu audioviziv rrezikohet nga monopolizimi’/ Bozdo: AMA po refuzon

0%

Deputeti i PD-së, Eno Bozdo, kërkoi nga Autoriteti i Konkurrencës dhe AMA ndërhyrje të menjëhershme për situatën e krijuar mes rreth 65 operatorëve kabllorë dhe kompanive që ofrojnë përmbajtje televizive me pagesë.

Në një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit, Bozdo tha se operatorët po përballen me kërkesa për rritje çmimesh, ndryshime të njëanshme të kushteve kontraktuale dhe kërcënime për ndërprerjen e sinjalit. Sipas tij, këto praktika rrezikojnë konkurrencën në treg dhe mund të sjellin rritje të çmimeve për rreth 500 mijë familje shqiptare.

Deputeti kërkoi hetimin e pozitës së Digitalb dhe Tring në tregun e Pay TV, si dhe verifikimin nëse operatorët kabllorë kanë alternativa reale për sigurimin e përmbajtjes. Bozdo kritikoi edhe AMA-n, duke deklaruar se institucioni është njohur prej muajsh me ankesat e operatorëve, por nuk ka reaguar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Çështja kërkon ndërhyrje të menjëhershme, të pavarur dhe transparente nga Autoriteti i Konkurrencës dhe AMA”, deklaroi Bozdo. Deklarata: Në të njëjtën kohë rreth 65 shoqëri të televizionit kabllor kryejnë shpërndarjen e këtyre paketave televizive te qytetarët duke mbuluar me investimet dhe kostot e tyre, rrjetet, mirëmbajtjen, shërbimin ndaj klientit dhe shpërndarjen territoriale.

Pavarësisht këtij roli të rëndësishëm ekonomik dhe shërbimit që u ofrojnë mijëra abonentëve, këto kompani po përballen nga ana e ADTN-së me kërkesa për rritje çmimesh, kërcënime për prishje kontrate, ndryshime të njëanshme të kushteve tregtare dhe rindarje të të ardhurave, sipas të cilave këtyre shoqërive duhet t’i mbetet rreth 25% e të ardhurave.

Sipas informacionit të paraqitur, ADTN i ka vendosur kompanitë kabllore në një trysni përballë presionit të ndërprerjes së menjëhershme të sinjalit. Domethënë, kompanitë po kërcënohen me ndërprerjen e menjëhershme të kontratave, madje edhe kur këto kontrata nuk kanë përfunduar ende. Kjo situatë është shumë shqetësuese pasi ajo prek një treg shumë të ndjeshëm siç është ai mediatik.

Prek lirinë e medias. Prek lirinë e informimit, prek rreth 500 mijë familje shqiptare edhe nga ana ekonomike, sepse çmimet e ofrimit të paketave të TV, e ndoshta nesër edhe të shërbimit të internetit, do të rriten ndjeshëm edhe për ta. Pra, kjo situatë nuk mund të trajtohet si një konflikt i zakonshëm privat mes dy palëve tregtare.

Kur një grup që kontrollon 100% furnizimin me përmbajtje Pay TV përballet me dhjetëra distributorë që nuk kanë alternativë reale, kemi të bëjmë me një çështje thelbësore të konkurrencës, të funksionimit të tregut audioviziv, të mbrojtjes së konsumatorit dhe të respektimit të ligjit.

Së pari, Autoriteti i Konkurrencës duhet sa më parë të hetojë pozitën monopoliste të krijuar nga Digitalb dhe Tring në këtë segment të tregut.

Faktet flasin qartazi për një përdorim abuziv të kësaj pozite për t’ju imponuar kushte të padrejta, për të përjashtuar operatorë të tjerë, për të kufizuar zgjedhjen e konsumatorëve ose për të transferuar në mënyrë të njëanshme të gjithë vlerën ekonomike të aktivitetit.

Sepse sipas kuadrit ligjor të konkurrencës, abuzimi lidhet ndër të tjera edhe me vendosjen e çmimeve ose kushteve të padrejta tregtare, zbatimin e kushteve të pabarabarta për transaksione të njëjta, kushtëzimin e kontratës me pranimin e detyrimeve shtesë, kufizimin e tregjeve ose të burimeve të furnizimit, refuzimin e pajustifikuar të furnizimit, praktika që pengojnë ose nxjerrin konkurrentët jashtë tregut.

Është detyrimi i Autoritetit të Konkurrencës të sqarojë këtë situatë të paprecedent, si dhe të hetojë monopolizimin de facto të tregut të televizioneve me pagesë. Së dyti, detyrimet ligjore vlejnë edhe për AMA-n, Autoritetin e Mediave Audiovizive. AMA është njohur prej muajsh tashmë me këtë shqetësim të shoqërive kabllore.

Ajo ka marrë shumë ankesa nga kompanitë, shoqëritë kabllore, dhe jo vetëm, dhe çuditërisht edhe në kundërshtim me ligjin, refuzon të reagojë ndaj një çështje kaq të rëndësishme. Ligji për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë e përcakton AMA-n si autoritetin rregullator në fushën e shërbimeve të transmetimeve audio, audiovizive dhe shërbimeve mbështetëse.

Në ushtrimin e funksioneve të saj, AMA lëshon licenca dhe autorizime dhe siguron respektimin e kushteve të licencave dhe autorizimeve, mbikëqyr veprimtarinë e operatorëve audiovizivë duke synuar garantimin e konkurrencës së ndershme në këtë sektor.

Zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet ofruesve të shërbimeve audiovizive, bashkëpunon dhe konsultohet me Autoritetin e Konkurrencës dhe institucione të tjera kompetente. AMA nuk zëvendëson Autoritetin e Konkurrencës në përcaktimin përfundimtar të një shkelje ligjore, por ka detyrimin të veprojë si rregullator sektorial.

Të ngrejë flamurin e kuq kur verifikohet një problematikë e këtij lloji, si dhe të bashkëpunojë me Autoritetin e Konkurrencës kur çështja prek konkurrencën dhe strukturën e tregut. Të dyja institucionet, Autoriteti i Konkurrencës dhe AMA, duhet të bashkëpunojnë seriozisht dhe të përcaktojnë qartë nëse: Digitalb dhe Tring veprojnë apo jo si njësi ekonomike ose nën kontroll të përbashkët.

Nëse bashkimi ose ndryshimi i kontrollit është njoftuar dhe autorizuar nga Autoriteti i Konkurrencës. Nëse operatorët kabllorë kanë alternativa reale për sigurimin e përmbajtjes, kontentit. Nëse kushtet e reja ekonomike janë imponuar në mënyrë të njëanshme. Nëse ndarja prej rreth 25% e të ardhurave u lejon kabllorëve të mbulojnë kostot dhe të vazhdojnë aktivitetin.

Nëse ndërprerja e kontratave përdoret si mjet presioni për pranimin e kushteve të reja. Nëse këto praktika mund të nxjerrin operatorët kabllorë jashtë tregut. Nëse qytetarët do të përballen me rritje çmimesh dhe me më pak alternativa. Përfundimisht, nuk mund të pranohet që një grup i vetëm mediatik të kontrollojë furnizimin me përmbajtje Pay TV dhe ndoshta dhe furnizimin me internet nesër.

Ndërsa dhjetëra operatorë lokalë të mbajnë kostot, investimet dhe rrezikun e shpërndarjes duke lënë vetëm një pjesë minimale të të ardhurave. Nuk mund të pranohet që kontratat në fuqi të përdoren si instrument presioni dhe të ndërpriten për t’iu imponuar operatorëve kabllorë kushte të reja.

Nuk mund të pranohet që pasojat e një monopoli të mundshëm t’i kalohen në kurriz qytetarëve shqiptarë përmes rritjes së çmimeve dhe reduktimit të zgjedhjes. Kjo çështje kërkon ndërhyrje të menjëhershme, të pavarur e transparente nga Autoriteti i Konkurrencës dhe AMA.

Kërkon gjithashtu mbrojtjen e operatorëve kabllorë, respektimin e kontratave dhe garantimin e një tregu audioviziv konkurrues, pluralist dhe në shërbim të qytetarëve. Ju faleminderit.

Burimi: Bota Sot