Komuna e Junikut dhe Projekti për Kujdes Shëndetësor të Qasshëm dhe Cilësor (AQH) kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për pajisjen e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Junik me pajisje moderne laboratorike. Memorandumi është nënshkruar nga kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, dhe përfaqësuesi i projektit AQH, Nicu Fota.
Investimi kap vlerën e rreth 30 mijë eurove, ku 25 mijë euro financohen nga AQH, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga buxheti i Komunës së Junikut. Sipas Komunës, pajisjet e reja do të rrisin kapacitetet e QKMF-së për kryerjen e analizave laboratorike më të shpejta dhe më të sakta.
Ky investim synon që qytetarëve të Junikut t’u ofrohen shërbime më cilësore diagnostikuese dhe të kenë qasje më të lehtë në analizat laboratorike pranë QKMF-së. Komuna e Junikut e ka vlerësuar këtë bashkëpunim si një hap të rëndësishëm në përmirësimin dhe modernizimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
