Ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka njoftuar se po vazhdojnë punimet për restaurimin e shkollës së vjetër të fshatit Mushnikovë në Prizren. Sipas Bogujevcit, objekti ka vlera të veçanta historike, arkitekturore dhe arsimore.
“E ndërtuar në vitin 1905, kjo ndërtesë është një nga shembujt e rrallë të objekteve shkollore rurale të fillimit të shekullit XX, duke ruajtur kujtesën e zhvillimit të arsimit dhe jetës së komunitetit ndër vite”, ka shkruar Bogujevci. Ajo ka thënë se përmes këtij projekti po ruhet një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të Mushnikovës.
