Hoti: LDK-ja e gatshme të kontribuojë në zgjedhjen e presidentit

0%

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se LDK-ja është e gatshme të kontribuojë në tejkalimin e ngërçit institucional dhe në gjetjen e një zgjidhjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit.

I pyetur nëse LDK-ja do të marrë pjesë në takimin e thirrur për të martën nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, Hoti tha se partia do të dalë me njoftim zyrtar. “Besoj se do të keni një njoftim zyrtar nga Lidhja Demokratike e Kosovës lidhur me këtë çështje”, deklaroi ai, raporton EO.

Hoti bëri të ditur se kjo çështje është diskutuar gjerësisht brenda strukturave të LDK-së dhe se partia ka vendosur t’i japë mundësi ecjes përpara me themelimin e institucioneve. Sipas tij, LDK-ja ka hequr dorë nga kërkesa për balancë mes institucioneve, në mënyrë që të kontribuojë në zhbllokimin e situatës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Kemi treguar gatishmërinë tonë që në fazën kur vijmë te diskutimi për të zgjedhur presidentin, të jemi konstruktivë në gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme dhe të pranueshme për gjithë spektrin politik”, tha Hoti.

Ai shtoi se partia që ka dalë e para në zgjedhje, së bashku me partnerët e saj, i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, ndërsa më pas mund të hapen diskutimet për presidentin. Hoti theksoi se LDK-ja është e gatshme të kontribuojë në arritjen e një kandidature për president që do të ishte e pranueshme për palët politike.

Ai përsëriti gjithashtu kërkesën e LDK-së për thirrjen sa më parë të seancës konstituive të Kuvendit, duke thënë se nuk ka arsye për vonesa të mëtejshme. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com