Hoti: LDK-ja e gatshme të kontribuoj për një president të pranueshëm

0%

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se LDK-ja është tërhequr nga kërkesa për balancë të institucioneve, me qëllim që të mundësohet themelimi i institucioneve të vendit.

Hoti ka thënë se kjo çështje është diskutuar gjerësisht brenda strukturave të LDK-së dhe se partia ka vendosur t’i japë mundësi procesit për të ecur përpara, në mënyrë që të tejkalohet bllokada institucionale.

“Ne kemi hequr dorë nga ajo kërkesë e jona dhe kemi treguar gatishmërinë tonë që, në fazën kur vijmë tek diskutimi për të zgjedhur presidentin, të jemi konstruktivë në gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme dhe të pranueshme për gjithë spektrin politik”, ka deklaruar Hoti.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas tij, partia që ka dalë e para në zgjedhje në këtë rast LVV, bashkë me partnerët e saj i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë. Më pas, sipas Hotit, partitë politike do të kenë mundësi të diskutojnë për zgjedhjen e presidentit. “Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës shprehim gatishmërinë tonë që të kontribuojmë në atë proces”, tha ai.

Hoti ka përsëritur kërkesën e LDK-së për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit, duke thënë se nuk ka arsye për vonesa. “Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë ta kërkojmë me këmbëngulje thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit. Nuk ka asnjë arsye për vonesat”, u shpreh ai. Deputeti i LDK-së ka theksuar se partia e tij nuk është e gatshme për diskutime të tjera përveç çështjes së presidentit.

“Vetëm në këtë pikë tash ka mbetur hapësira për diskutim. Diskutimet e tjera nuk ka mbetur pra gatishmëri dhe as hapësirë dhe as vullnet prej nesh që të bëhen”, deklaroi Hoti. Ai ka thënë se LDK-ja është e gatshme të kontribuojë për gjetjen e një kandidati për president që do të ishte i pranueshëm për të gjitha forcat politike.

Burimi: Telegrafi