Bujku nga Istogu, Nazmi Blakaj, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës dhe ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, lidhur me, siç ka thënë ai, mungesën e mbështetjes për fermerët e dëmtuar nga breshëri.
Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, Blakaj ka kritikuar prioritetet e institucioneve, duke i krahasuar ato me mbështetjen që, sipas tij, po u ofrohet pjesëtarëve të mërgatës.
“Për mërgatën gjeni pare për sigurime të veturave luksoze e bileta avioni, ndërsa fermerit që breshëri ia ka shkatërruar krejt mundin e vitit — asnjë zgjidhje, asnjë përgjegjësi, asnjë seriozitet!”, ka shkruar Blakaj, raporton Telegrafi.
Breshëri shkatërron plantacionin në Dubravë të Istogut, dëmtohen arrat – rrushi dhe perimet Ai ka thënë se edhe pjesëtarë të mërgatës kanë kërkuar që fondet publike të orientohen drejt prodhuesve vendorë dhe fermerëve. “Madje, edhe mërgata e ka thënë qartë: nuk duam që shteti të na paguajë sigurimin e veturave.
Ne duam që paratë të shkojnë aty ku e fuqizojnë Kosovën — te prodhuesi vendor, te fermeri dhe te ekonomia jonë”, ka deklaruar ai. Blakaj ka kritikuar edhe varësinë e Kosovës nga importi, duke kërkuar më shumë mbështetje për prodhimin vendor. “Kosova importon rreth 90% të mallrave.
Në vend se ta fuqizoni fermerin, ta mbroni prodhimin vendor dhe ta ulni varësinë nga importi, ju e lini fermerin të falimentojë e pastaj prisni që ushqimin ta blejmë jashtë!”, ka shkruar ai. Sipas tij, institucionet duhet të ndërmarrin masa konkrete për fermerët që kanë pësuar dëme nga breshëri.
Rreth 90% e sipërfaqeve të mbjella u dëmtuan nga breshëri i fuqishëm që goditi dje Istogun “Fermeri nuk kërkon mëshirë — kërkon drejtësi, dëmshpërblim dhe përgjegjësi!”, ka thënë Blakaj, shkruan Telegrafi. Ai ka kërkuar nga Qeveria që të kompensojë fermerët e dëmtuar dhe të investojë më shumë në bujqësi dhe prodhimin vendor. “Mbështeteni prodhuesin vendor.
Kompensojeni fermerin që është dëmtuar nga breshëri. Investoni në bujqësi dhe në prodhimin e Kosovës. Mjaft me fjalë boshe!”, ka deklaruar ai. Në fund, Blakaj ka përsëritur thirrjen që prioritet i institucioneve të jetë mbështetja për qytetarët, fermerët dhe prodhuesit vendorë.
“Qeveri, prioritetet duhet të jenë tek qytetari, fermeri dhe prodhuesi vendor — jo tek luksi dhe privilegjet!”, ka përfunduar reagimin e tij. / Telegrafi
