Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se ka nënshkruar nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal, të iniciuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Hoti ka thënë se qëllimi i kësaj nisme është që moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të mos mbetet pa përgjegjësi penale.
Sipas tij, nisma synon edhe kriminalizimin e keqpërdorimit të parasë publike për përfitime elektorale, me qëllim që buxheti i shtetit të mos përdoret si instrument për të ndikuar në votën e qytetarëve.
“Si deputet i Kuvendit të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kam nënshkruar nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të iniciuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me qëllim që moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të mos mbetet pa përgjegjësi penale”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka theksuar se shteti ligjor nuk mund të funksionojë mbi parimin që institucionet mund të zgjedhin nëse do t’i zbatojnë apo jo vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “Nuk mund të ketë shtet ligjor me standardin: Gjykata vendos, Qeveria zgjedh nëse zbaton apo jo”, është shprehur Hoti. Deputeti i LDK-së e ka cilësuar nismën si mesazh për çdo pushtet që tenton të anashkalojë Kushtetutën.
“Kjo nismë është një mesazh i qartë për çdo pushtet që mendon se mund ta anashkalojë Kushtetutën. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë rekomandime politike. Janë detyrim kushtetues” , ka thënë Hoti.
