Një hartë interaktive e publikuar nga The New York Times ofron një pamje të detajuar të prejardhjes së popullsisë në Shtetet e Bashkuara, duke treguar edhe shpërndarjen e komunitetit shqiptar në të gjithë vendin.
“An American Mosaic” , e ndërtuar mbi të dhënat e Censusit amerikan, u mundëson përdoruesve të shohin se në cilat zona të SHBA-së janë më të përqendruara komunitete të ndryshme, bazuar në prejardhjen e deklaruar. Harta u publikua në korrik të vitit 2026, në kuadër të 250-vjetorit të SHBA-së.
Ajo mbulon pothuajse të gjithë territorin amerikan dhe mund të zmadhohet deri në zona dhe qarqe të veçanta, duke ofruar një pasqyrë të shpërndarjes gjeografike të komuniteteve të ndryshme. Vetë ideja e “mozaikut amerikan” i referohet përbërjes së larmishme të shoqërisë amerikane, të formuar nga komunitete me prejardhje dhe identitete të ndryshme, të cilat së bashku krijojnë një “mozaik”.
Në rastin e shqiptarëve, harta nxjerr në pah veçanërisht New York-un, i cili prej dekadash është një nga qendrat kryesore të diasporës shqiptare në SHBA. Një tjetër përqendrim i rëndësishëm është Michigan-i, veçanërisht zona e Detroitit.
Përqendrime të komunitetit shqiptar shfaqen edhe në qarqe të veçanta, përfshirë Macomb County në Michigan, si dhe Bronx County, Westchester County, Queens County dhe Kings County në New York. Megjithatë, këto të dhëna duhen interpretuar me kujdes.
Termi “ancestry” në të dhënat e Censusit i referohet prejardhjes që individët deklarojnë dhe nuk është domosdoshmërisht i njëjtë me numrin e personave të lindur në Shqipëri, Kosovë apo në vende të tjera me popullsi shqiptare. Për të parë shpërndarjen e komunitetit shqiptar në hartën interaktive, mjafton të kërkoni “Albanian” në fushën e kërkimit të hartës.
Më pas, duke zmadhuar zonat e ndryshme, mund të shihni se ku janë të përqendruar shqiptarët dhe të dhënat për secilën zonë.
