Një 25-vjeçar nga Florida është raportuar në FBI nga OpenAI, pasi në bisedat e tij me ChatGPT kishte shkruar plane të hollësishme për përdhunimin dhe vrasjen e ish-të dashurës së tij. Darren Zhou dyshohet se kishte deklaruar se do ta vriste 21-vjeçaren deri në fund të muajit, ndërsa kërcënimet më vonë ishin zgjeruar edhe ndaj familjarëve të saj.
Sipas hetuesve, Zhou kishte nisur të përdorte ChatGPT në mars për të folur rreth ndarjes nga një lidhje gjashtëmujore, duke shprehur xhelozi ndaj personave që e rrethonin ish-partneren dhe dëshirën për t’u ribashkuar me të. Bisedat më pas kishin eskaluar në kërcënime për përdhunim, vrasje dhe një skenar vrasje-vetëvrasje.
OpenAI e referoi rastin te autoritetet pasi bisedat u vlerësuan se paraqisnin rrezik serioz për një person tjetër. Në maj, FBI-ja ia përcolli materialet Zyrës së Sherifit të Qarkut Palm Beach. Sipas policisë, mesazhet nuk konsideroheshin thjesht shpërthime emocionale, por tregonin një model planifikimi.
Ish-e dashura e Zhou-s u kishte thënë autoriteteve se ishte ndarë prej tij për shkak të sjelljes xheloze dhe kontrolluese. Pas ndarjes, ai dyshohet se e kishte përndjekur përmes telefonatave, mesazheve dhe komunikimeve kërcënuese në rrjete sociale. Zhou u arrestua në maj dhe u lirua dy ditë më vonë kundrejt një garancie prej 100 mijë dollarësh.
Më 13 gusht, ai u deklarua fajtor për përndjekje të rëndë, kërcënime me shkrim për vrasje dhe përdorim të paligjshëm të telefonit celular. Në bazë të marrëveshjes me prokurorinë, ai shmangu burgimin dhe u dënua me tetë vjet mbikëqyrje nga shërbimi i provës, së bashku me një sërë kufizimesh të tjera. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
