Një 34-vjeçar është arrestuar në Maminas, Durrës, pasi dyshohet se po transportonte armë zjarri të trafikuara nga Kosova, me qëllim shitjen e tyre te grupe kriminale në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Në kuadër të operacionit të koduar “Hallkat”, Policia e Shqipërisë ka arrestuar në flagrancë M. B., 34 vjeç, banues në Kukës, ndërsa në pranga ka përfunduar edhe pasagjerja D.
N., 39 vjeçe, banuese në Prizren, e dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin ata po lëviznin në Maminas, policia ka gjetur dhe sekuestruar 3 armë zjarri, pistoleta, dhe 34 fishekë, që dyshohet se janë trafikuar nga Kosova.
Kontrolli është kryer edhe në banesën e 34-vjeçarit, ku është gjetur dhe sekuestruar një armë e ftohtë, dorezë hekuri. Sipas Policisë, operacioni është zhvilluar pas një pune hetimore dhe operative për parandalimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të armëve të zjarrit në Shqipëri, me qëllim shitjen e tyre te grupe kriminale. M.
B. dyshohet për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, ndërsa D. N. për “Moskallëzimi i krimit”. Policia ka bërë të ditur se hetimi vijon për identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rast. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
