Kolumbia po vazhdon kërkimet për të mbijetuar pothuajse pesë ditë pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.4, i cili goditi pjesën perëndimore të vendit dhe shkaktoi pasoja të rënda. Të paktën 294 persona kanë humbur jetën, afro 4 mijë janë plagosur, ndërsa rreth 400 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.
Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në rrënojat e ndërtesave të shkatërruara, pavarësisht se është kaluar afati kritik prej 72 orësh, kur mundësitë për të gjetur të mbijetuar zakonisht zvogëlohen ndjeshëm. Tërmeti goditi rëndë rajonin e njohur për kultivimin e kafesë, duke prekur zona si Cali dhe Pereira.
Sipas të dhënave të autoriteteve, afro 13 mijë shtëpi janë shkatërruar, ndërsa mijëra ndërtesa të tjera kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme. Familje të shumta vazhdojnë të presin lajme për të afërmit e tyre të zhdukur, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po zhvillohen pa ndërprerje. Fatkeqësia ka krijuar gjithashtu një sfidë të madhe për rindërtimin e zonave të prekura.
Autoritetet kolumbiane kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme ekonomike dhe kanë paralajmëruar masa për mbështetjen e familjeve të zhvendosura dhe rindërtimin e shtëpive, shkollave dhe spitaleve të dëmtuara. Ndihma ndërkombëtare ndërkohë ka nisur të mbërrijë në vend.
Banka Botërore ka premtuar 200 milionë dollarë për përballimin e pasojave të katastrofës, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar edhe 11 milionë dollarë shtesë për operacionet e shpëtimit dhe ndihmës humanitare. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
