Serbia dëshiroi të bëhej e madhe, por u zvogëlua sa nokia

0%

Po shikoja një emision në një televizion serb dhe, për disa minuta, pata përshtypjen se historia kishte vendosur ta transmetonte një komedi pa skenar. Në studio ishin ulur disa gjeneralë serbë, me fytyra të trishtuara dhe me atë vështrimin karakteristik të njerëzve të cilëve historia sapo ua ka dorëzuar një faturë që nuk duan ta paguajnë.

Me lot në sy, ata flisnin për tradhtinë e madhe të Viktor Çernomyrdinit, ish-kryeministrit rus, i cili, sipas rrëfimit të tyre, i kishte zhgënjyer pikërisht në çastin kur ata po përpiqeshin t’i gjenin kapitullimit një emër më të bukur. Sepse në politikën serbe edhe kapitullimi duhet të ketë një emërtim ceremonial. „Kapitullim“ tingëllon keq. „Marrëveshje“ tingëllon shumë më mirë.

Kështu, në vend që t’i thuash popullit: „I dorëzuam armët“, mund t’i thuash: „Hapëm një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare.“ MILOSHEVIQI, SHARMI DIPLOMATIK DHE SARMA E MIRËS Kur Marti Ahtisari dhe Viktor Çernomyrdin mbërritën te Millosheviqi me delegacionet e tyre, ai, me sa duket, i priti me përzemërsinë e një njeriu që ende beson se çdo ultimatum mund të neutralizohet me një gotë raki.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Millosheviqi, sipas të gjitha gjasave, mendonte se mund t’i joshte me sharm, me komplimente, me sarmën e Mirës dhe me shlivovicën. Ndoshta mendonte se ishin turq. Sepse sipas kësaj logjike diplomatike, nëse një njeri e ha sarmën tënde, e pi rakinë tënde dhe të dëgjon ndërsa ia këndon këngën „Osman Aga, ti je dashuria ime“, atëherë një marrëveshje e favorshme praktikisht është nënshkruar.

Por Ahtisari vinte nga një shkollë krejt tjetër diplomatike. Ai, sipas këtij versioni të gjeneralëve të pikëlluar, mund t’i ketë thënë: — Unë dhe vëllai im Viktor Çernomyrdin nuk kemi ardhur të negociojmë me ty. Kemi ardhur të ta sjellim ultimatumin për kapitullim të pakushtëzuar.

Sarmën haje me Mirën, ndërsa rakinë pije me patriarkun tënd, i cili mbrëmë nuk arriti ta qijë popadijen e vet, sepse bomba jonë ia kishte bërë koqet copë e grimë. Nuk e di nëse kjo fjali është thënë ndonjëherë vërtet. Por, duke gjykuar nga historia, do të kishte qenë një mënyrë jashtëzakonisht efikase për t’i përfunduar negociatat brenda pak sekondash.

PERANDORIA RUSE MBËRRIN NË SLATINË Dhe pastaj vjen pjesa më interesante. Gjeneralët tregojnë se sa shumë u gëzuan kur dëgjuan se ushtria ruse, po nisej nga Bosnja drejt aeroportit të Sllatinës. Në imagjinatën e tyre, nëna Rusi po vinte për ta shpëtuar bijën e saj Serbinë. Dhe jo vetëm kaq.

Ajo po vinte me një shpejtësi të tillë, saqë KFOR-i demokratik do të arrinte t’i shihte vetëm gjurmët e çizmeve ruse mbi asfalt. Problemi ishte vetëm një detaj i vogël: ushtria ruse që mbërriti nuk i ngjante aspak ushtrisë që ekzistonte në imagjinatën e tyre. Gjeneralët prisnin një ushtri perandorake. Panë rrënoja. Prisnin kolona të frikshme tankesh.

Panë hekurishte të ndryshkura e të pluhurosura, gjysmë të prishura dhe të mbështetura mbi rrota të shtrembëra që dukej se kishin kaluar më shumë kohë në servis sesa në luftë. Në atë çast patriotizmi serb pësoi një goditje më të fortë se çdo bombardim: u përplas me realitetin. „NUK KEMI AS BUKË, AS CIGARE“ Por goditja e vërtetë erdhi më vonë. Rusët thanë se nuk kishin bukë.

Nuk kishin cigare. Dhe ndoshta nuk kishin as shumë arsye të dukeshin si një ushtri serioze, sepse kishin ardhur për ta shpëtuar një perandori mitologjike. Atëherë gjeneralët serbë e kuptuan një të vërtetë të tmerrshme: në krahasim me ushtrinë ruse, edhe ushtria e Enver Hoxhës dukej si një ushtri aristokratike. Ky është një nga ato çaste historike kur miti nuk shembet me zhurmë.

Thjesht del para teje me një kamion të ndryshkur dhe ta kërkon një cigare. PRISNIM MOSKËN PERANDORAKE, POR PAMË KARVANE CIGANËSH QË I TËRHEQNIN ME KUAJ QERRET E MBULUARA ME NAJLON TË ZI Njëri prej gjeneralëve serbë të zhgënjyer e përshkroi ushtrinë ruse që hyri në Kosovë si diçka që i ngjante më shumë karvanëve nomadë romë, të cilët ai i përshkroi si „halabakë“, me qerre të gjata të mbuluara me najlon të zi, që tërhiqeshin nga kuajt e zgjebosur.

Ndoshta ishte hera e parë në histori që një gjeneral serb e kuptoi se shpëtimtari i madh sllav nuk kishte ardhur mbi një kalë të bardhë. Kishte ardhur mbi një copë hekurishte të ndryshkur që kërkonte naftë. 300 MIJË DOLLARË PËR NJË PERANDORI Dhe pastaj, siç ndodh gjithmonë në historitë ku historia ka pësuar një dështim, në skenë shfaqen paratë. 300 mijë dollarë.

Sipas rrëfimit të gjeneralit serb të zhgënjyer, Klintoni e kishte korruptuar Çernomyrdinin me 300 mijë dollarë. Dhe Çernomyrdini, me sa duket, i kishte thënë: — Nëse m’i jep edhe 300 mijë, do t’ia qij Jelcinit, gruan, familjen dhe gjithë pemën e tij familjare nga regjistri amzë i lindjeve. Këtu historia bëhet veçanërisht interesante.

Sepse kur një perandori ia shpjegon humbjen me 600 mijë dollarë, kupton se sa lirë mund të jetë ndonjëherë gjeopolitika. „NE DHE RUSËT JEMI 300 MILIONË“ Dhe pikërisht atëherë më erdhi ndërmend ajo kënga serbe: „Nas i Rusa 300 miliona.“ Treqind milionë! Me një numër të tillë, sipas logjikës së këngës, nuk kishte më asnjë pengesë. Beogradi duhej të shtrihej deri në Tokio.

Hartat e botës duhej të kërkonin pushime vjetore. Por historia ka një zakon të keq: ajo nuk këndon. Ajo numëron. Dhe kur numëroi ushtarët, tanket, karburantin, bukën, cigaret dhe realitetin, doli se perandoria e madhe kishte një problem të vogël: ishte shumë më e vogël sesa dukej në këngë.

Në fund, ata që ëndërronin të shtriheshin nga Beogradi deri në Tokio u tkurrën aq shumë në përplasjen me realitetin, sa përfunduan: të vegjël sa një Nokia. Dhe kjo është ndoshta ironia më e bukur e gjithë historisë: Donin ta pushtonin botën. Historia ua dha një telefon mobil me emrin Nokia.

Burimi: Bota Sot