Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka deklaruar se Shqipëria po përballet me një dobësim të prodhimit industrial dhe me një model ekonomik që, sipas tij, është orientuar drejt ndërtimit, pasurive të paluajtshme, importeve dhe shërbimeve.
Përmes një deklarate, Blushi u referohet të dhënave të Eurostat, duke theksuar se prodhimi industrial në Shqipëri ka rënë nga 100 pikë në vitin 2021 në 84.7 pikë në vitin 2025. Sipas tij, kjo nënkupton një rënie prej 15.3 për qind brenda katër vitesh.
Blushi thekson se, nga 35 ekonomitë europiane të përfshira në të dhënat e cituara, vetëm Ukraina, e përfshirë në luftë, ka pasur një performancë më të dobët se Shqipëria. Sipas tij, kjo situatë është pasojë e një modeli ekonomik që favorizon ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme në dëm të prodhimit.
“Ky deindustrializëm ndodh për shkak se Edi Rama shton lejet për kulla dhe mbyll fabrika, shton betonin dhe frenon zhvillimin, nxit qarkullimin dhe legalizimin e parasë së pisët dhe godet prodhimin dhe ngatërron propagandën turistike me ekonominë e qëndrueshme”, deklaroi Blushi.
Ai e lidhi këtë situatë edhe me zhvlerësimin e euros dhe dollarit ndaj lekut, duke e cilësuar si një tregues të asaj që ai e quan “narkoekonomi”. Blushi krahasoi performancën e Shqipërisë me disa vende të tjera të rajonit dhe Europës.
Sipas shifrave të cituara prej tij, Serbia e ka rritur prodhimin industrial me 8.8 për qind, Turqia me 9.9 për qind, Greqia me 12.7 për qind, Polonia me 12.5 për qind dhe Danimarka me 28.8 për qind.
Në këtë kuadër, ai kritikoi qeverinë për mungesë të një strategjie që synon zhvillimin e industrisë përpunuese, industrisë nxjerrëse, sektorit minerar dhe hidrokarbureve, si dhe për mungesë të politikave që, sipas tij, do të nxisnin eksportet. Një pjesë të deklaratës së tij Blushi ia kushtoi edhe bujqësisë.
Ai pretendoi se, që nga viti 2017, është përgjysmuar numri i gjedhëve dhe të imtave, ndërsa braktisja e bujqësisë ka rënduar situatën e fermerëve dhe ka rritur varësinë e vendit nga importet bujqësore. Sipas tij, kompanitë përpunuese shqiptare po përballen me mbiçmimin e lekut, rritjen e kostove të punës dhe prodhimit, si dhe konkurrencën ndërkombëtare.
Blushi argumenton se rënia e eksporteve nuk mund të kompensohet nga të ardhurat e turizmit, të cilat ai i cilëson si të pamjaftueshme për të garantuar një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Blushi akuzoi gjithashtu qeverinë se ka krijuar një “ekonomi të betonit”, duke e lidhur rritjen e ndërtimeve dhe të kullave shumëkatëshe me hyrjen e parave të paligjshme në ekonomi.
“Rritja ekonomike jo vetëm bazohet në faktorë të paqëndrueshëm dhe risk të lartë, por ajo kurrsesi nuk mund të vlerësohet as e shëndetshme për aq kohë sa nuk është e bazuar te prodhimi dhe eksportet dhe te rritja e konkurrueshmërisë”, tha ai. Në përfundim, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë e përmblodhi kritikën e tij me një krahasim mes ndërtimit dhe prodhimit.
“Sot Edi Rama mund të inaugurojë edhe njëqind kulla të tjera. Por një kullë nuk është fabrikë. Një resort nuk është industri. Një import nuk është prodhim. Dhe një statistikë turistësh nuk është zhvillim ekonomik i qëndrueshëm”, deklaroi Blushi.
Ai tha se Shqipëria ka nevojë të fokusohet te prodhimi, eksportet dhe krijimi i vendeve të punës, duke e cilësuar këtë si një ndryshim thelbësor mes modelit ekonomik që ai e quan “Narkoekonomi e betonit” dhe modelit të zhvillimit që propozon Partia e Lirisë. “Shqipëria duhet të bëhet vend prodhues dhe eksportues.
Dhe për këtë nevojitet një përmbysje e plotë e modelit ekonomik që Edi Rama i ka imponuar vendit”, përfundoi Blushi.
