Vllaznia do të zhvillojë këtë fundjavë provën e fundit miqësore përpara nisjes së kampionatit të ri. Përballë kuqebluve do të jetë Vora, një kundërshtar që këtë sezon do të jetë sërish pjesë e elitës së futbollit shqiptar dhe që përbën një test të rëndësishëm për skuadrën shkodrane.
Kjo sfidë pritet të ketë një tjetër rëndësi për trajnerin Edi Martini.Ndryshe nga takimet e mëparshme, ku janë provuar skema dhe alternativa të ndryshme, tashmë koha e eksperimenteve duket se ka përfunduar. Përballë Vorës pritet të hidhet në fushë formacioni që në parim shihet si më i mundshmi për ndeshjen e parë të kampionatit kundër Skënderbeut.
Në këtë mënyrë, miqësorja do të shërbejë si një provë gjenerale për kuqeblutë. Stafi teknik do të ketë mundësinë të shohë nga afër se si funksionon grupi më i mirë i mundshëm, si në aspektin taktik, ashtu edhe në atë fizik, përpara se të nisë gara zyrtare. Përballë do të jetë një skuadër e elitës, çka e bën testin edhe më interesant.
Vora është një ekip që ka siguruar aventurën në Superiore dhe përballja me të do t’i japë Vllaznisë një tjetër mundësi për të matur nivelin e saj ndaj një kundërshtari që do të jetë pjesë e të njëjtit kampionat. Në fokus do të jetë edhe gjendja e futbollistëve të afruar gjatë kësaj merkatoje.
Disa prej tyre kanë pasur nevojë për kohë për t’u afruar me ritmin dhe ngarkesat e pjesës tjetër të grupit, ndërsa kjo sfidë pritet të tregojë më qartë se cilët janë në kushtet optimale për të nisur kampionatin nga minuta e parë. Pas kësaj përballjeje, Vllaznia do të mbyllë përgatitjet verore dhe vëmendja do të kalojë tërësisht te sfida e parë zyrtare.
Përballë Skënderbeut nuk do të ketë më vend për prova, ndaj ndeshja me Vorën shihet si testi i fundit për të fiksuar formacionin, për të korrigjuar detajet e fundit dhe për t’u paraqitur sa më e gatshme në startin e edicionit të ri.
