Myrto Uzuni po kalon një formë perfekte në Amerikë dhe kjo vërtetohet nga 4 golat e shënuar në dy ndeshjet e fundit. Sulmuesi shqiptar u shfaq protagonist në duelin përballë Club America, duke shënuar një gol spektakolar, që solli dhe barazimin 1-1 për Austin, ndërsa takimi shkoi deri tek penalltitë, aty ku skuadra e Uzunit rezultoi më e saktë dhe preku çerekfinalet.
Për t’i dhënë më shumë peshë këtij momenti, vetë beratasi ka zgjedhur të reagojë përmes një postimi në profilin e tij në Instagram, teksa shkruan: “I ndërtuar për netë të tilla.
Faleminderit shumë të gjithë tifozëve për mbështetjen e jashtëzakonshme, kjo ishte për ju.” Klasi i treguar në fushë ka bërë “për vete” edhe vetë klubin e Austin që e shfaq “simpatinë” për sulmuesin e Kombëtares në çdo postim në faqen e tyre. Një harmoni perfekte që po korr edhe rezultatet që priten.
