Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, thotë se zgjedhja e presidentit konsensual mbetet e mundshme, por ka paralajmëruar se formimi i institucioneve të reja pas tejkalimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit mund të shoqërohet me konteste kushtetuese.
Gashi, në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, ka thënë se presidenti konsensual duhet të jetë figurë që mund të përfaqësojë të gjithë spektrin politik dhe të ketë integritet personal dhe profesional.Sipas tij, pa këto kritere nuk do të ketë hapësirë për dakordim.
Për këtë çështje, deputeti i LDK-së shtoi se do të diskutohet menjëherë pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë. “Ka hapësirë edhe me u gjetë, po ka edhe hapësirë edhe me u mos gjetë. Po s’mundemi me e paragjyku. 60 ditë janë, prej momentit të konstituimit të Kuvendit janë 60 ditë me u marrë me atë temë. Dy muaj, dy herë në ditë me u taku, 120 takime mundemi me u bë…
Nuk kemi vendos kritere, sepse po të flas unë diçka të tillë, vendosi kritere sot. Dhe kriteret, cila mund të jenë bllokuese. Por, në parim, me gjetur një person i cili ka integritet personal, ka integritet profesional, ka përvojë institucionale, ka përvojë shtetërore, mbrojtës i kushtetutshmërisë, përfaqësues i Kosovës brenda dhe jashtë.
Ne kemi menduar që të tillë, të paktën pesë ose gjashtë, janë në grupin parlamentar të LDK-së. Zoti Kurti s’ka mendu. Po thotë ka të tjerë që janë më të mirë sesa 120 deputetë të Kuvendit të Republikës, ose 100 deputetët shqiptarë të Kuvendit të Republikës, ka të tjerë që janë hala më të mirë, a du me i marrë qata.
Le të tregojë kush janë ata dhe në rregull jemi” , tha ai.Megjithatë, ai ka ngritur pikëpyetje mbi vetë konstituimin e Kuvendit, pas skadimit të afatit 30-ditor. Gashi ka thënë se një situatë e tillë mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe të shërbejë si bazë për krijimin e një precedenti të ri kushtetues.
Ai ka thënë se kërkesa për vlerësim kushtetues mund të parashtrohet nga një subjekt politik apo institucion tjetër.“Tash mund të krijohet një precedent tjetër, që të shkohet në gjykatë, masi që Kuvendit t’i ketë një rastin se prapë mundet, s’ka çka me e çu në gjykatë.
Kurdo që ta bëjë Kuvendi një vendim, ka me u shku në Gjykatë Kushtetuese, ndoshta prej dikujt, dhe gjykata ka me thënë: jo, ngadalë, se me presidentin krejt i ki antikushtetuese, ose ka me thënë në rregull është, krejt janë kushtetuese, vazhdoni… Është material për Gjykatë Kushtetuese.
A e çojmë ne, a e çon PDK-ja, a e çon AAK-ja, a e çon Avokati i Popullit, i nxitur nga organizata e shoqërisë civile, a kush e çon, nuk e di. Po mundet me e çu dikush, ndoshta s’e çon kurrkush. Mua ajo është çështje strategjike. Ajo është qasje strategjike pastaj, se cila do të jetë strategjia e LDK-së në këtë pikë, po më duket është pak herët me thënë. Ka material për gjithçka.
Si për ashtu, si për kështu”, shtoi Gashi. Ai tregoi edhe pse LDK vendosi të ndërpresë negociatat për bashkëqeverisje me LVV-në.
Sipas tij, Albin Kurti nuk dëshiroi koalicion, derisa ofroi vetëm tri ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit për LDK-në.Gashi kritikoi edhe mënyrën se si Kurti i është referuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e quajtur “mikun tim” dhe “nuk është pak të jesh zëvendësi im”. Sipas Gashit, kjo nuk përbën shenjë miqësie, por mungesë respekti ndaj Abdixhikut dhe LDK-së.
Krahas kësaj, Gashi i kundërpërgjigjet eksponentëve të LVV-së, të cilët e përshëndetën vendimin e LDK-së për presidentin konsensual, por që shtuan se nuk duhet të ketë “hile” në këtë proces.
Duke i bërë thirrje LVV-së që të thërrasë sa më parë seancën konstituive pas këtij qëndrimi të ri të LDK-së, Gashi thotë se zvarritja e formimit të institucioneve të reja do të jetë fillimi i fundit politik të Albin Kurtit.
Ndryshe, vazhdimi i seancës konstituive është ndërprerë më 8 gusht me kërkesë të kreut të LVV-së, Albin Kurti dhe pas ekskalimit të situatës në seancë gjatë gjuajtjes me vezë Albin Kurtin nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj. Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7
