Ekskluzive | Kapet pas një muaji në arrati i dyshuari për

0%

Pas rreth një muaji në arrati, Policia ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë personin e dyshuar për plagosjen me armë zjarri që ndodhi në korrik në Miradi të Epërme të Fushë Kosovës, rast ky që po hetohet si “Vrasje në tentativë”, mëson Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Fidan Sinani, rreth 45-vjeçar, ndërsa viktima e rastit është I.Gj., rreth 61-vjeçar.

Ngjarja kishte ndodhur më 15 korrik, rreth orës , në rrugën “Prizreni” në Miradi të Epërme. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, mes Sinanit dhe I.Gj dyshohet se fillimisht kishte shpërthyer një mosmarrëveshje verbale lidhur me një pronë, e cila më pas kishte eskaluar. Sinani dyshohet se kishte nxjerrë një pistoletë dhe kishte qëlluar I.Gj, duke e plagosur në këmbën e djathtë.

Viktima ishte dërguar nga familjarët në QKUK, ku ishte konstatuar se kishte plagë hyrëse-dalëse në këmbë. Sipas raportit të atëhershëm mjekësor, gjendja e tij ishte stabile dhe ishte jashtë rrezikut për jetë. Ndërkohë, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes me një VW Passat të zi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vetura ishte gjetur më pas e braktisur në oborrin e vëllait të tij, ndërsa Sinani nuk ishte lokalizuar dhe kishte mbetur në arrati. Hetimet për gjetjen e tij kanë vazhduar deri më 14 gusht, kur Policia ka siguruar informacione për vendndodhjen e të dyshuarit.

Hetuesit në Prishtinë, të asistuar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë dhe Policia e Fushë Kosovës, kanë lokalizuar dhe arrestuar Sinanin. Gjatë arrestimit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar tek ai një armë zjarri, një karikator dhe tre fishekë. Sipas informacioneve të rastit, arma dyshohet se është përdorur në plagosjen e 15 korrikut dhe është sekuestruar për procedurat e mëtejshme hetimore.

Sinani është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, ndërsa pas konsultimit me Prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda, ndaj tij është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh. Rasti po hetohet për “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com