Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka qetësuar tifozët e klubit londinez rreth të ardhmes së tij, duke theksuar se nuk ka arsye për shqetësim pavarësisht se kontrata e tij hyn në vitin e fundit. Arteta, i cili në maj i dha Arsenalit titullin e Premier Ligës pas 22 vitesh pritje, pritet të rinovojë kontratën me klubin.
Para përballjes me Manchester Cityn në Community Shield, spanjolli ka deklaruar se dëshira e tij është të vazhdojë të jetë pjesë e Arsenalit. “Nuk kanë pse të shqetësohen për këtë, sepse unë dua të jem këtu. Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe shumë mirënjohës që punoj me njerëzit me të cilët punoj. Kur të kemi mundësinë, do ta zgjidhim edhe këtë çështje”, ka thënë Arteta.
Tekniku spanjoll ka bërë të ditur se prioriteti gjatë kësaj vere ka qenë forcimi i skuadrës, duke lënë në plan të dytë çështjen e kontratës. “Gjithmonë ka një prioritet tjetër. Të gjithë ndihemi rehat, sepse koha e mbetur në kontratë nuk do të jetë problem. Vullneti im është të jem këtu dhe jam shumë i lumtur. Edhe ndjenja ime për klubin është e njëjtë”, është shprehur ai.
Arsenali ka qenë aktiv në afatin kalimtar të verës, duke transferuar Bruno Guimaraes dhe Christos Tzolis, ndërsa ka bërë të përhershëm edhe transferimin e Piero Hincapies. Klubi londinez ka afruar gjithashtu portierin Illan Meslier si lojtar të lirë. Arteta ka theksuar se Arsenali duhet të ndjekë rrugën e tij dhe nuk duhet të shqetësohet nga shpenzimet e mëdha të rivalëve.
