Një rast i zjarrvënies është regjistruar mbrëmjen e së enjtes në Prizren, ku flakët kanë përfshirë hapësira në varrezat katolike dhe myslimane, ndërsa një person është arrestuar si i dyshuar për shkaktimin e zjarrit, mëson Sinjali.
Rasti ka ndodhur më 13 gusht, rreth orës , në rrugën “Shefqet Berisha”, kur Policia ka pranuar informatën se një pjesë e hapësirës së varrezave katolike ishte përfshirë nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore dhe zjarrfikësit, të cilët kanë arritur ta vënë zjarrin nën kontroll dhe të parandalojnë përhapjen e mëtejshme të tij.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, zjarrfikësit është dashur të intervenojnë në dy lokacione – në hapësirën e varrezave katolike dhe atë të varrezave myslimane. Në momentin e intervenimit nuk kishte qytetarë brenda varrezave, ndërsa vlera e dëmeve të shkaktuara nga zjarri ende nuk është përcaktuar.
Gjatë mbledhjes së informacioneve në terren, Policia ka arritur të identifikojë personin që dyshohet se e kishte shkaktuar zjarrin. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Imli Krasniqi (1969). Ai është lokalizuar dhe shoqëruar në stacion policor, ndërsa sipas informacioneve fillestare ka qenë në gjendje të rënduar si pasojë e konsumimit të alkoolit.
Për rastin janë njoftuar hetuesit dhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti për “Zjarrvënie”, ndërsa Krasniqi është ndaluar për 48 orë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
