Kujtimet e një zyrtari të lartë amerikan për rënien e komunizmit në Shqipëri, vizitën e parë të amerikanëve, të Nënë Terezës dhe të Papa Gjon Palit të Dytë Kanë kaluar 35 vjet nga ditët e stuhishme kur Shqipëria rrëzoi gardhin e hekurt dhe nisi të ecë lirisht në shtigjet e panjohura të botës.
Ajo takohej me njerëz nga të katër anët e tokës dhe priste personalitete me emra të ndaluar, të përjashtuar e të mohuar, që jetonin larg dhe përpiqeshin të shembin muret e diktaturave. Ajo që veçohet si dhuratë e Perëndisë është se vetë Zoti i dërgoi të parët në Shqipëri: Nënë Terezën, Papa Gjon Palin e Dytë dhe amerikanët. Carol C.
Adelman, ish-oficer i Shërbimit të Jashtëm për 12 vjet në Departamentin e Shtetit dhe administrator asistent i Byrosë së Evropës kur ra Muri i Berlinit në 1989, shkruan në kujtimet e tij: «Kam pasur privilegjin të shërbej në kohën kur vendet ish-komuniste po rilindnin dhe synonin të bëheshin kombe të lira, si ato të Evropës Qendrore e Lindore.
Në atë periudhë ndryshimesh ato ishin përfituese të ndihmës së shumtë nga Perëndimi, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara.» Sipas tij, Republika Çeke ishte e para që kërkoi ndihmë politike, jo tregtare. Polonia u nxit nga SHBA për të shpejtuar privatizimin dhe mbështetjen e bizneseve të vogla.
Hungaria ishte gati për ndryshime në të gjithë vendin, ku sipërmarrësit i kishin fshehur pasuritë e tyre gjatë viteve të komunizmit. Adelman, një nga zyrtarët më të lartë amerikanë të ngarkuar me ndihmën për vendet që po dilnin nga komunizmi, thekson: «Ne ishim në gjendje t’i ndihmonim këto vende shpejt dhe me efikasitet falë legjislacionit të ri.
Akti i Mbështetjes për Demokracinë Evropiane Lindore i vitit 1990 na lejonte të punonim sipas sistemit tonë të prokurimit dhe të bashkëpunonim lehtësisht me institucione private. Kështu mundëm të shpërndanim një shumë të madhe parash në Evropën Qendrore e Lindore, duke u bazuar në performancë dhe duke eliminuar atë që vendet e konsideronin jofunksionale.»
Kujtesa e tij më e artë lidhet me Shqipërinë, një vend me më pak se tre milion banorë, që kishte qenë nën sundimin e diktatorit stalinist Enver Hoxha, të fundit në kampin socialist. «Kur unë dhe ekipi i parë i USAID-it shkuam atje në vitin 1991, u “hapëm sytë” shqiptarëve për tregun e lirë dhe privat. Përqendruam ndihmën te spitalet, që ishin në gjendje të mjerueshme.
Për shpërndarjen e ndihmave na duheshin automjete, por në të gjithë vendin gjetëm vetëm 200 makina dhe një infrastrukturë të rrënuar totalisht. Në Tiranë, madje edhe hoteli që komunistët e ofronin për mysafirët e huaj nuk kishte ujë të nxehtë, drita e as ushqim. Burgjet ishin plot me të burgosur politikë.
Të internuarit në kampe ankoheshin në radhët e bukës ose jetonin me “bukë e ujë”, vetëm për të dëgjuar “Zërin e Amerikës” së bashku me fëmijët e tyre – ushqimi i vetëm shpirtëror që i kishte mbajtur gjallë për tre a katër dekada.»
Adelman kujton vizitën historike të Sekretarit të Shtetit James Baker në Tiranë në verën e vitit 1991: «Më shumë se 500 000 shqiptarë brohorisnin si të çmendur: “USA – USA – Baker! Baker!”.
Në një vend që kishte qenë i shtypur plotësisht për gjysmë shekulli, ku propaganda komuniste i kishte mitizuar Shtetet e Bashkuara si mishërim i djallit dhe si armiqtë më të rrezikshëm të Shqipërisë socialiste, Baker u prit si hero.»
Ai shton se u befasua kur pa se rreth 40 për qind e shqiptarëve flisnin një gjuhë të huaj, përfshirë anglishten, dhe se një emër i popullarizuar për fëmijët ishte Wilson – kujtim i qartë i presidentit Woodrow Wilson dhe i ndihmës së tij për Shqipërinë. Edhe skeptikët e dëshirës së lindur të njerëzimit për liri e demokraci e kishin kuptuar mesazhin që SHBA po përcillte.
Kur ish-presidenti i parë demokrat, prof. dr. Sali Berisha, u pyet nga zyrtarët e lartë amerikanë se si mund të ndihmohej më mirë Shqipëria, ai u përgjigj: «Ne kemi një zemër demokratike dhe një mendje demokratike, të mbërthyera në një trup bolshevik për gati gjysmë shekulli, por sytë i kemi pasur gjithmonë nga Perëndimi dhe nga SHBA.»
Nënë Tereza: «Merrni shqiptarët në punë – Get them jobs» Ajo që Adelman kujton me dashuri më të madhe nga Shqipëria e vitit 1991 është takimi me Nënë Terezën. Ishte hera e parë që takonte një njeri të shenjtë. Ajo kishte ardhur për të ndihmuar fëmijët shqiptarë dhe kishte hapur një shtëpi bamirësie në Tiranë me infermiere e kujdestarë të Shoqatës «Nënë Tereza».
Adelman eci përkrah saj dhe Zëvendëssekretarit të Thesarit, John Robson. Nënë Tereza dukesh se nuk ndalej kurrë; në tokën e prindërve të saj ajo dukej shumë më e gjallë kur bëhej fjalë për të ndihmuar njerëzit e gjakut të saj.
Të dy ishin në Shqipëri në verën e vitit 1991 për të ndjekur nga afër vizitën e Sekretarit të Shtetit James Baker dhe për të hartuar programet e asistencës amerikane që do t’u përgjigjeshin nevojave e dëshirave të shqiptarëve në atë periudhë tranzicioni.
«Nuk më harrohet kurrë», shkruan Adelman, «se ndërsa ecnim në pistën e aeroportit të Tiranës, e pyeta: “Çfarë mund të bëjmë ne amerikanët për të ndihmuar shqiptarët tani?” Ajo u ndal, u kthye nga unë, ngriti sytë nga qielli dhe më pa drejt në sy. Me plot zemër u përgjigj: “Merrni shqiptarët në punë – Get them jobs.
Get them jobs.” Pastaj shtoi me zemërgjerësi: “Shqiptarët janë të zotë të punës dhe duke punuar ata dinë të ndihmojnë vetveten.”» Mungesa e ushqimit kishte arritur nivele krize. Në përgjigje të menjëhershme, ushtria amerikane filloi shpërndarjen e ushqimeve gjysmë të gatshme (Meals Ready to Eat – MRE) sipas planit të USAID.
Aeroplani i parë amerikan i ngarkuar me këto ushqime u ul në një pistë me gunga, bar dhe fshatarë që kullosnin delet, dhitë e lopët në fushën fqinje. Nënë Tereza u bashkua me qindra shqiptarë që prisnin avionin ushtarak. Kur ai ndaloi, piloti dhe ekuipazhi dolën nga kabina.
Shqiptarët brohoritën «USA – USA» dhe nxituan drejt aeroplanit, të habitur që shihnin për herë të parë një avion amerikan dhe një pilot vetëm 20 vjeç. Të gjithë u rreshtuan pas Nënë Terezës: piloti, ekuipazhi, komanda ushtarake, John Robson dhe zyrtarët e tjerë. Ajo nisi bekimin, shpërndau tespihet dhe u lut te Jezusi, duke bërë kryq.
Pastaj hipi në shkallët e avionit, qëndroi mbi ndihmat, ngriti duart dhe, me sytë e mbyllur, bekoi ndihmën për popullin shqiptar. Vizita e Papa Gjon Palit të Dytë Më , për herë të parë, Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë së bashku me Nënë Terezën, me ftesën e presidentit Sali Berisha.
Shqipëria, e sapozgjuar nga ëndrra e keqe gjysmëshekullore, shikonte Papën që shkelte në trojet e saj të mbjella me eshtra dëshmorësh të rinj të lirisë.
Ai kishte luajtur një nga rolet kryesore në shembjen e perdes së hekurt, që ndante jo vetëm një Shqipëri të vogël nga bota, por një sistem nga një tjetër, në atë stinë të gjatë e të akullt të njohur si «Lufta e Ftohtë» – për shqiptarët, «dimri i vetmisë së madhe». Vizita e Gjon Palit II ishte realizim i fjalëve të tij: «Mos kini frikë! Hapjani krejtësisht dyert Krishtit!
Hapjani pushtetit të Tij shpëtimtar kufijtë e shteteve, sistemet ekonomike e politike, hapësirat e gjëra të kulturës, qytetërimit e zhvillimit. Mos kini frikë! Lejojeni Krishtin t’i flasë njeriut. Vetëm Ai ka fjalë jete, fjalë jete të amshuar.» Kur Papa erdhi, gjeti një Kishë të rrënuar materialisht, por të paprekur shpirtërisht.
Kleri ishte gjysma gjallë e gjysma i varrosur, por shikohej me admirim e respekt të thellë nga grigja, që në vitet e errëta të diktaturës kishte parë në të të vetmen rreze drite: Dritën e Krishtit. Në mbyllje të kujtimeve të tij, Carol C. Adelman shkruan: «Shtetet e Bashkuara mund t’i ndihmojnë njerëzit të kthehen te ëndrrat dhe shpresat e tyre, që ato të bëhen realitet.
Departamenti i Shtetit dhe ushtria amerikane mund të punojnë së bashku për të ndihmuar njerëzit në nevojë në mbarë botën.»