Drejtuesi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka ngritur sërish shqetësime lidhur me procesin e legalizimeve në kryeqytet, duke kërkuar hetim të plotë të rasteve të përmendura në mesazhet e publikuara të Shefit të Kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Në një konferencë për media, Sveçla tha se më 3 gusht kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës dosjet e plota të legalizimit për katër raste të përmendura në këto mesazhe, por sipas tij, Komuna u ka dorëzuar vetëm certifikatat e legalizimit.
“Më 3 gusht kemi kërkuar nga Komuna e Prishtinës katër dosjet e plota të legalizimit për katër raste që përmenden në mesazhet e publikuara të Shefit të Kabinetit të Përparim Ramës. Komuna nuk na i dha dosjet. Na dorëzoi vetëm katër certifikata legalizimi, pa dokumentacionin përcjellës”, tha Sveçla.
Ai bëri të ditur se për këtë çështje kanë parashtruar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. “Për këtë tashmë kemi bërë ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Kërkuam dosjet. Na dhanë certifikatat. Nëse gjithçka është në rregull, pse nuk po i dorëzojnë dosjet?”, u shpreh ai.
Sveçla tha se, ndërkohë, kanë verifikuar se katër objektet e përmendura në mesazhe janë legalizuar dhe se, sipas tij, të katër rastet janë trajtuar nga e njëjta zyrtare.
“Ndërkohë, kemi verifikuar se të katër objektet që përmenden në mesazhe janë legalizuar dhe se të katër rastet janë trajtuar nga e njëjta zyrtare, ndonëse në sektor janë mbi 20 zyrtarë të tjerë që mund ta kryejnë të njëjtën punë”, deklaroi Sveçla.
Ai foli edhe për pozitat që kishte mbajtur Florent Maliqi në Komunën e Prishtinës, duke e lidhur këtë me pretendimet e tij për përgjegjësinë institucionale në procesin e legalizimeve. “Florent Maliqi nuk ishte një zyrtar i thjeshtë i Komunës. Ai ka mbajtur dy prej pozitave më të rëndësishme për qytetin: Drejtor i Urbanizmit dhe u.d. i Drejtorit të Kadastrit.
Më pas, Përparim Rama e ka emëruar edhe Shef të Kabinetit të tij, një prej pozitave më të afërta dhe më të besuara të një kryetari”, tha ai. Sveçla shtoi se, sipas vlerësimit të grupit të asamblistëve të LVV-së, veprimet e Maliqit duhet të hetohen në raport me zinxhirin e vendimmarrjes.
“Prandaj, për ne, asnjë vendim dhe asnjë veprim i Florent Maliqit nuk është marrë pa urdhrin ose pa miratimin e Përparim Ramës”, deklaroi ai. Sveçla kërkoi që hetimi të mos kufizohet vetëm te mesazhet e publikuara, por të përfshijë edhe dokumentacionin dhe mënyrën e trajtimit të rasteve.
“Kërkojmë që Prokuroria të mos hetojë vetëm mesazhet, por legalizimet, dosjet, mënyrën e ndarjes së lëndëve, zinxhirin e vendimmarrjes dhe pretendimet për përfitime financiare”, tha Sveçla. Ai bëri të ditur se dy asamblistët e LVV-së që kanë dorëzuar kallëzimin penal, Berita Abazi dhe Çlirim Gërbeshi, tashmë janë ftuar për intervistim nga organet e hetuesisë.
“Asamblistët tanë që e kanë dorëzuar kallëzimin penal, Berita Abazi dhe Çlirim Gërbeshi, tashmë janë ftuar për intervistim nga organet e hetuesisë dhe ne e përshëndesim këtë veprim”, tha ai. Duke iu referuar pretendimeve për pagesa të ndryshme gjatë procesit të legalizimit, Sveçla tha se duhet të zbatohet vetëm tarifa e përcaktuar me ligj. “Legalizimi duhet ta ketë vetëm një tarifë.
Atë që është e përcaktuar me ligj. Jo tarifën e ndërmjetësit. Jo tarifën e lidhjes. Jo tarifën e politikës. Jo 10 mijë, jo 20 mijë, as 30 mijë euro, siç thotë Shefi i Kabinetit të Kryetarit në mesazhet e publikuara”, u shpreh ai. Në fund, Sveçla kërkoi hetim të plotë dhe përgjegjësi për çdo shkelje të mundshme. “Objektet janë aty. Dosjet janë aty.
Mesazhet tashmë i kanë organet e drejtësisë. Duhet hetim i plotë, veprim konkret dhe përgjegjësi”, tha ai. “Prishtina nuk është pronë e Përparim Ramës. Komuna nuk është pronë e kabinetit dhe e drejtorëve të tij. Urbanizmi, Kadastra dhe Legalizimi nuk janë tregje private.
Në Prishtinë duhet të vlejë ligji dhe barazia për të gjithë, kurse secili që e shkel atë duhet të japë përgjegjësi”, përfundoi Sveçla. / Telegrafi
