Prej dy javësh Rumania po përballet me kufizime të energjisë elektrike, sepse për shkak të nivelit të ulët të ujit në Danub në të vetmin central bërthamor të vendit, në Çernavodë, blloku i parë i reaktorit ndaloi punën që në fund të korrikut. Më pas Rumania u përpoq ta mbante në funksionim reaktorin e dytë të centralit atomik duke ndërmarrë masa të pazakonta.
Së fundmi në lumin Danub mjaft maune hodhën gurë në shtratin e lumit për të devijuar më shumë ujë drejt centralit bërthamor. Më parë ushtria kishte hedhur në erë një shkëmb, gjithashtu për të siguruar më shumë ujë për centralin. Falë këtyre masave funksionimi i reaktorit të dytë u zgjat të paktën edhe për disa ditë.
Megjithatë tani është u desh të ndalet edhe reaktori i dytë, shpjegoi Cristian Bușoi, sekretar shteti në Ministrinë Rumune të Energjisë: “Arsyeja është prurja e ulët e Danubit, përkatësisht niveli i ulët i ujit, i cili është i domosdoshëm për funksionimin e pompave të ftohjes. Shtyrje e afatit të mbylljes së termocentraleve me qymyr?
Meqë centrali bërthamor i Çernavodës është tashmë jashtë funksionit, mungon rreth 20 për qind e nevojave të Rumanisë për energji elektrike. Sipas Cristian Bușoit, kjo mungesë mund të kompensohet në afat të shkurtër: “680 deri në 700 megavatët që prodhon mesatarisht blloku 2 në Çernavodë do t’i zëvendësojmë kryesisht përmes importeve.
Këto ditë na ndihmon edhe energjia e erës.” Për javën e ardhshme, nëse do të jetë e nevojshme, mbahet në rezervë një bllok i centralit me qymyr në Rovinari, që ka një kapacitet prej rreth 300 megavatësh, tha Bușoi.
Ndërkohë Rumania informoi Komisionin Evropian se, për shkak të krizës energjetike, dëshiron të shtyjë afatin e mbylljes së disa termocentraleve me qymyr, që kishte planifikuar më parë.
Import energjie nga vendet fqinjë Megjithatë, në krizën aktuale energjetike, Rumania nuk do të ketë tjetër zgjidhje veçse të importojë më shumë energji sesa zakonisht, për shembull nga Hungaria dhe Bullgaria. Në vendet fqinje, situata aktualisht është disi më e qetë. Në centralin bërthamor të Paksit në Hungari, kanë rifilluar punën të dyja turbinat.
Kurse centrali bërthamor i Kozllodujit në Bullgari funksionon pa asnjë kufizim. / DW
