Aktivisti dhe eksperti i IT-së, Gent Progni denoncoi nga protesta se qeveria po përgatit alibinë se turizmi në vend dështoi për shkak të protestave që vijojnë prej më shumë se 70 ditësh kundër Edi Ramës. Teksa mori fjalën në protestë, ai theksoi se qeveria nuk mund ta faturojë fajin tek qytetarët.
Ai theksoi se turistët nuk tremben nga protestat paqësore pasi në vendet ku vijnë ata protesta është pjesë normale e demokracisë. Ai theksoi se nëse një turist largohet, kjo ndodh për shkak të mungesës së standardeve, pasigurisë si dhe shtetit që nuk funksionon. “Dua t’i përgjigjem një retorike që po përgatitet prej kohësh. Thonë se protesta po dëmton turizmin.
Jo, turisti nuk largohet sepse disa qytetarë dalën në shesh dhe kërkojnë llogari nga qeveria. Por largohen kur një destinacion turistik zhvillohet pa plan, pa standardet dhe pa menduar se çfarë eksperience do të ketë njeriu që vjen këtu. Këtu fillon problemi i vërtetë se kur modeli dështon duhet gjetur një fajtor. Turizmi nuk shkoi mirë për shkak të protestave.
Jo, mos ia faturoni qytetarëve faturën e qeverisjes tuaj. Protesta nuk ndërtoi pa kriter, nuk betonizoi bregdetin, nuk la qytete pa parkingje, nuk projektoi rrugë që bllokohen çdo verë, nuk la vendin të digjej, nuk krijoi kaosin urban. Në çdo demokraci, protesta është dëshmi që një shoqëri është e gjallë. Një turist evropian nuk trembet kur sheh qytetarë që protestojnë paqësisht.
Ai vjen nga vende ku protesta është pjesë normale e demokracisë. Ajo që e tremb kaosi, pasiguria, mungesa e standardeve dhe një shtet që funksionon. Prandaj mos përgatisni alibi që tani. Nëse turizmi dështon, përgjegjësinë kërkojeni te politika që keni ndjegur, te infrastruktura që nuk keni ndërtuar dhe modeli që keni krijuar.
Protesta nuk është problemi i Shqipërisë, por reagim ndaj problemeve të Shqipërisë. Dështimin tuaj nuk do të lejojmë tua faturoni qytetarëve që kanë guxim për të protestuar.” , tha Progni.
