Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për shitjen e narkotikëve në Kaçanik. Policia ka njoftuar më se ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit dhe ka gjetur sasi të drogës që dyshohet se është marihuanë, një pushkë, materiale e mjete për prerjen dhe paketimin e marihuanës.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit në shtëpinë e të arrestuarit në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar: një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 30.44 gramë; një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 1.13 gram; rreth 130 qese të zbrazëta për paketim të marihuanës; një grinder për bluarjen e marihuanës dhe letra për mbështjellje; një pushkë gjuetie; një telefon dhe para të gatshme.
Ndaj të dyshuar, sipas Policisë është iniciuar rasti për veprën penale “Blerja, posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge”. Pas intervistimit i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
