Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar gjithsej 23,918 artikuj të ndryshëm në tri lokale në Prishtinë, gjatë një aksioni për kontrolle ndaj subjekteve tregtare.
Mallrat e ndaluara, sipas njoftimit, përfshijnë: 16,394 mbrojtëse për telefona mobilë; kufje të modeleve AirPods dhe AirPods Max; kabllo USB-C dhe Lightning; adapterë dhe pajisje për mbushje; orë inteligjente; pajisje AirTag; lapsa elektronikë; tastiera dhe aksesorë të tjerë elektronikë; bateri për telefona mobilë.
Në mallrat e ndaluara janë evidentuar shenja të markave të njohura tregtare. Sipas rezultateve të evidentuara, në lokalin e parë janë ndaluar 22,391 artikuj, në lokalin e dytë 477 artikuj, ndërsa në lokalin e tretë 1,050 artikuj. Dy nga subjektet e kontrolluara, sipas njoftimit janë referuar për trajtim të mëtejmë në Sektorin për Kundërvajtje Doganore.
Ndërkaq, me subjektin e tretë, po sipas njoftimit, për shkak të sasisë dhe vlerës së lartë të mallrave të ndaluara, është njoftuar Prokuroria dhe rasti do të trajtohet në përputhje me udhëzimet e saj.
“Të gjitha mallrat janë vendosur nën mbikëqyrje doganore dhe do t’u nënshtrohen procedurave përkatëse për verifikimin e dokumentacionit, prejardhjes së tyre dhe respektimit të legjislacionit doganor dhe të të drejtave të pronësisë intelektuale”- thuhet në njoftimin e datës .
Dogana thotë se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës, ekonomisë joformale, mbrojtjen e tregut të ligjshëm dhe parandalimin e qarkullimit të mallrave që cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale dhe interesat e konsumatorëve.
