Sulmet ajrore amerikane që synonin rebelët Huthë të mbështetur nga Irani në Jemen vranë vjet më shumë se 150 civilë, thuhet në një vlerësim të Pentagonit mbi sulmet, në kohën kur po rriten shqetësimet për viktimat civile gjatë fushatave ushtarake nën administratën e presidentit Donald Trump, raporton agjencia e lajmeve, AP .
Vlerësimi i paklasifikuar, i siguruar nga AP, iu dorëzua Kongresit si pjesë e raportit vjetor mbi viktimat civile dhe u raportua më parë nga NBC News.
Një zyrtar i Pentagonit, i cili nuk ishte i autorizuar të diskutonte çështjen publikisht dhe foli në kushte anonimiteti, ka thënë se Departamenti i Mbrojtjes do ta paraqesë raportin në muajt e ardhshëm, por nuk kishte asgjë më shumë për të njoftuar.
Viktimat civile nga operacionet ushtarake amerikane kanë ngjallur shqetësime, përfshirë edhe nga ligjvënësit në Kongres, pasi një raketë amerikane goditi një shkollë fillore iraniane në ditët e para të luftës së këtij viti, duke vrarë deri në 168 persona.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, thuhet se ka zvogëluar madhësinë e një zyre të përqendruar në zvogëlimin e dëmit ndaj civilëve, ka raportuar AP. Shqyrtimi i Pentagonit u përqendrua në tre sulme ajrore në prill 2025 që u nisën gjatë fushatës amerikane kundër Huthëve.
Militantët po sulmonin anije tregtare në Detin e Kuq, një rrugë e rëndësishme tregtare globale që çon në Kanalin e Suezit dhe në Mesdhe, si dhe në Izrael. Këto sulme kishin cak forcat armiqësore në ose pranë kryeqytetit të Jemenit, Sana, të mbajtur nga rebelët, si dhe portin Ras Isa, thuhet në raport. Në total 153 civilë u vranë dhe 243 të tjerë u plagosën.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
