Udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij heq dorë nga çdo kërkesë për postin e kryeparlamentarit, presidentit dhe pjesëmarrjes në Qeveri, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje mund t’i mbajë të gjitha.
Megjithatë, për analisti politik, Artan Muhaxhiri, oferta e bërë nga kreu i LDK-së nuk ofron një zgjidhje realiste dhe normale për daljen nga kriza politike. “Meqë LVV-ja nuk po e konsideron se ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë dekor as për pushtetin e saj.
Ne do të qëndrojmë në opozitë dhe do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet” , tha Abdixhiku në një konferencë për media. Megjithatë, Abdixhiku tha se LDK-ja do të kontribuojë për çështjen e presidentit, duke thënë se kanë kushte për kreun e ri të shtetit. Sipas tij, presidenti i ri duhet ta mbrojë Republikën dhe kushtetueshmërinë.
“Nga ky moment, LVV mund ta zgjedhë stabilitetin përmes një presidenti që e zgjedhim bashkëshkrish ose mund ta çojmë vendin drejt një krize të re”, tha ai, duke e akuzuar LVV-në e Albin Kurtit se nuk po pranon “kompromis minimal”.
Ai tha se LDK-ja do të jetë pjesë e zgjedhjes së presidentit sepse nëse s’marrin pjesë në votim, vendi shkon në zgjedhje për shkak se me 61 votat e LVV-së “s’mund të zgjidhet” presidenti. “Ta zgjedhim një president që i shërben Republikës, jopartiak, e jo një president karate”, tha ai, duke shtuar se propozimet partiake do të refuzohen.
“Propozimet e njëanshme janë të refuzueshme”, tha ai, duke shtuar se emri i presidentit të ri duhet të dalë pas diskutimeve të detajuara mes partive. LDK ishte partia e vetme që pranoi të negocionte me LVV-në, fituesen e zgjedhjeve të qershorit. Por, edhe pas disa takimesh, Kurti e Abdixhiku s’arritën një marrëveshje.
Abdixhiku tha se Kurti i ofroi atij postin e zëvendëskryeministrit dhe tri ministri, por oferta nuk është pranuar, duke shtuar se LDK-ja kishte kërkuar postin e presidentit dhe pjesëmarrje në ekzekutiv. “Meqë LVV-ja nuk po e konsideron se ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë dekor as për pushtetin e saj” , tha Abdixhiku.
Ai kërkoi që Kuvendi të konstituohet pa vonesë dhe LVV-ja të formojë Qeverinë e re të vendit. Kosova ndodhet në një ngërç të ri institucional pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit. Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndonëse afati 30-ditor për përfundimin e këtij procesi ka skaduar më 7 gusht.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që para vazhdimit të seancës të arrihet një marrëveshje politike, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca insistojnë që Kuvendi të konstituohet pa e kushtëzuar këtë proces me çështjen e presidentit. Kurti ka insistuar që kreu i ri i vendit të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale.
Zgjedhjet e qershorit u shkaktuan pikërisht për çështjen e presidentit, pasi palët nuk arritën konsensus, pasi Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit në prill. LVV-ja e Kurtit ka fituar mandate të mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe për të votuar Qeverinë e re – duke llogaritur edhe në votat e partive të minoriteteve joshumicë.
Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.
Muhaxhiri: Oferta e Abdixhikut nuk kontribuon në gjetjen e një zgjidhjeje Analisti politik, Artan Muhaxhiri, e vlerëson si “të çuditshëm” dhe “të vonuar” ofertën e Abdixhikut për çështjen e presidentit, duke vlerësuar se nuk po shkohet drejt një zgjidhjeje.
“Puna më e mirë që zoti Abdixhiku do të bënte është që të takohet me liderë të tjerë opozitarë dhe kësisoj ta krijonin një front të përbashkët, pakrahasueshëm më të fuqishëm sesa partitë opozitare veç e veç”, thotë Muhaxhiri, duke vlerësuar se Abdixhiku është larguar si nga partitë e tjera opozitare, ashtu edhe nga Kurti, dhe kjo situatë, “i shkon në favor” LVV-së.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Muhaxhiri thotë se oferta për një president jopartiak veçse ka qenë, prandaj ai pyet pse është dashur që të mbahen takime mes LDK-së dhe LVV-së. “Pra, nuk ka qenë nevoja që të humbet kaq shumë kohë dhe të mbahen të gjitha ato takime nëse prapëseprapë do të kthehemi në pikën fillestare ”, thotë Muhaxhiri.
“Kompromisi maksimal që mund ta bëjë zoti Kurti është që ta japë kryetarin e Parlamentit, dhe këtë po e thonë edhe gjatë këtyre ditëve, dhe kjo ofertë e zotit Abdixhiku me siguri do të jetë krejtësisht e papranueshme për zotin Kurti. Por, edhe në ndonjë skenar tjetër do të jetë shumë vështirë që të gjendet një kandidaturë e cila do t’i plotësonte këto kërkesa.
Po them, kjo është një ofertë e vonuar e zotit Abdixhiku sepse nuk kontribuon në gjetjen e një zgjidhje realiste dhe normale” , shton ai.
Ai madje e vlerëson si “gabim të madh” qëndrimin se LDK do të kontribuojë për zgjedhjen e presidentit, me kushte, duke u shprehur se Abdixhiku “nuk është në pozitë që të diktojë kushte, pasi ka probleme të mëdha brenda LDK-së dhe nuk mund t’i garantojë të 18 votat e deputetëve” nëse arrihet pajtim me LVV-në për kreun e shtetit.
Sipas tij, LDK-ja, Partia Demokratike dhe Aleanca secila kanë nga një ide të ndryshme për daljen nga kriza. Më e logjikshme do të ishte nëse këto tri parti krijojnë një ide të përafërt bashkëpunimi dhe në mënyrë që t’i kundërvihen me opsione apo alternativa Kurtit, vlerëson Muhaxhiri.
Nëse këto parti arrijnë të gjejnë një kandidaturë të denjë për presidenti, thotë ai, atëherë një gjë e tillë do të shndërrohej në presion politik dhe publik ndaj Kurtit.
“Sepse pastaj edhe diskursi do të ndryshojë edhe gjithë rrëfimi për çështjen e presidentit, pra gjithë beteja për çështjen e presidentit do të merrte një kahe tjetër, më të qartë”, thotë Muhaxhiri, duke shtuar se kjo potencialisht do të detyronte Kurtin që të ndryshonte pozicion.
Edhe nëse nuk arrijnë ndonjë bashkim për çështjen e presidentit, Muhaxhiri beson se partitë opozitare duhet të takohen dhe të krijojnë një mirëbesim sepse ndryshe, sipas tij, “vështirë se do të mund ta sfidojnë” Kurtin. Përveç LDK-së, edhe PDK-ja dhe Aleanca kanë shprehur qëndrimin se duan të qëndrojnë në opozitë.
