Një lajm i trishtë ka mbërritur në mbrëmjen e së mërkurës nga qyteti i Vlorës. Agim Bubeqi, një prej protagonistëve të Flamurtarit në vitet e arta 1985-1990, është gjetur i pajetë në banesën e tij. Ish-futbollisti i njohur i kohërave të arta të Flamurtarit dyshohet se ka ndërruar jetë prej disa ditësh, ndërsa vetëm këtë të mërkurë është gjetur trupi i tij.
Kanë qenë komshinjtë ata që kanë vënë re mungesën e tij dhe më pas e kanë gjetur të pajetë në apartament. Bubeqi ishte një nga emrat që spikati në një prej periudhave më të lavdishme të historisë së Flamurtarit. Ai ishte pjesë e një skuadre që shkroi faqe të rëndësishme në historinë e futbollit shqiptar dhe që bëri Vlorën të krenohej me ekipin e saj.
Një legjendë e futbollit vlonjat, që fatkeqësisht vitet e fundit kishte zgjedhur të qëndronte larg vëmendjes dhe jetës publike. Mësohet se kishte pasur probleme shëndetësore dhe ishte shkëputur plotësisht nga aktiviteti i përditshëm.
