18 vatra zjarri vijojnë të jenë të evidentuara në territorin e Shqipërisë, 14 prej tyre aktive, ndërsa 2 janë nën kontroll dhe 2 të tjera po monitorohen. Gjatë ditës së sotme janë raportuar gjithsej 31 vatra zjarri. Operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve vijojnë në disa qarqe, me angazhimin e strukturave vendore dhe qendrore.
Në terren janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura, me 309 efektivë, 22 mjete, 9 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Vatrat kryesore aktive janë raportuar në Dajt, Abazaj në Krujë, Gurë-Lurë, Nemërçkë-Dhëmbel, Trojë, Lugaxhi, Dhivër-Finiq, si dhe në zona të Mallakastrës, Patosit dhe Mirditës.
Në Abazaj të Krujës, vlerësimet e ekipeve në terren tregojnë se flakët nuk paraqesin rrezik për banesat. Edhe në zonat e tjera të raportuara, situata pranë territoreve të banuara është nën kontroll ose nuk paraqet rrezik të drejtpërdrejtë. Ndërhyrja po vijon në terren për të kufizuar përhapjen e flakëve dhe për të shuar vatrat aktive.
Forcat tokësore dhe mjetet ajrore janë angazhuar në zonat ku terreni dhe kushtet e motit e bëjnë më të vështirë ndërhyrjen. Situata mbetet në monitorim, ndërsa ekipet e emergjencave vijojnë punën për izolimin e plotë të vatrave dhe parandalimin e përhapjes së zjarreve.
