Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Turizmin, Kulturën dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar pas vizitës së ministrit Blendi Gonxhja në Sarandë, duke kundërshtuar përshkrimin e qytetit si një destinacion “i mirëmenaxhuar”.
Deputetja e PD-së rendit një sërë problematikash që, sipas saj, përballen çdo ditë nga qytetarët dhe turistët, duke nisur nga furnizimi me ujë, trafiku dhe mungesa e parkingjeve, te mbetjet, terminali i ri dhe gjendja e ujërave të larjes.
“Ku është Saranda e ‘mirëmenaxhuar’ për të cilën flet Gonxhja?”, pyet Zhupa, duke shtuar se realiteti në qytetin bregdetar është ndryshe nga ai i paraqitur nga qeveria. Sipas saj, furnizimi me ujë mbetet një nga problemet kryesore. Zhupa thotë se në disa zona uji vjen një herë në dy ditë, ndërsa lagje të tjera qëndrojnë për ditë ose javë pa furnizim.
Edhe trafiku dhe parkingjet mbeten problem, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Zhupa kundërshton gjithashtu funksionimin e terminalit të ri, duke argumentuar se ai nuk ka sjellë zgjidhje për qarkullimin. Në reagimin e saj, deputetja ngre shqetësime edhe për menaxhimin e mbetjeve, duke përmendur rrugë dhe shkallare të papastruara dhe mbeturina në zona të qytetit gjatë sezonit turistik.
Zhupa i referohet edhe raportit të Agjencisë Europiane të Mjedisit për ujërat e larjes në vitin 2025, ku sipas saj Shqipëria renditet në fund dhe Saranda përmendet si një nga rastet problematike. Një tjetër pikë e reagimit është trashëgimia kulturore. Zhupa përmend Butrintin dhe problematikat e aksesit, promovimit dhe infrastrukturës në site të tjera të trashëgimisë.
“Ky është menaxhim fasadë”, shprehet Zhupa, duke kërkuar shërbime funksionale, furnizim me ujë 24 orë, trafik të menaxhuar, parkingje, pastërti, ujëra të pastra, transport funksional dhe mbrojtje të trashëgimisë kulturore.
Në fund të reagimit, ajo e përmbledh përplasjen me një krahasim: sipas saj, ndërsa ministri sheh “mirëmenaxhim”, qytetarët e Sarandës përballen me probleme të përditshme.
