Përballë mungesës akute të fuqisë punëtore, plakjes së popullsisë dhe problemeve kronike me produktivitetin, kompanitë japoneze do të duhej të ishin në avantazh në përdorimin e inteligjencës artificiale. Megjithatë, krahasuar me SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, integrimi i AI-së në shumë vende pune në Japoni mbetet i ngadaltë dhe tepër i kujdesshëm.
Përgjigjja e Japonisë ndaj inteligjencës artificiale po fillon t’i ngjajë një prej shfaqjeve tradicionale japoneze “Noh”, të njohura për lëvizjet e tyre të ngadalta, raporton BBC. Të dhënat mbi përdorimin e AI-së në vendin e punës tregojnë se Japonia ka mbetur prapa vendeve të tjera.
Vetëm 8.4% e punëtorëve japonezë përdorin AI-në si pjesë të punës së tyre, sipas një raporti të publikuar në fund të vitit të kaluar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Në SHBA, kjo shifër arrin në 50%, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar në 32%.
Në Singapor, i cili thuhet se ka nivelin e dytë më të lartë të përdorimit të AI-së pas Emirateve të Bashkuara Arabe, 56% e punonjësve raportojnë se përdorin AI-në “disa herë në javë”. Pse po ngurron Japonia? Austin Xu, bashkëthemelues i kompanisë amerikane “Kuse AI”, thotë se kjo situatë lidhet me faktin se kompanitë japoneze janë konservatore dhe i shmangen rrezikut.
Kompania e tij së fundmi ka hapur një zyrë në Japoni për t’u shitur sisteme të inteligjencës artificiale kompanive vendase. Ai thotë se kompanitë japoneze kanë nevojë për më shumë prova përpara se t’i besojnë mjaftueshëm inteligjencës artificiale për ta përdorur atë.
Parrisa Haghirian, profesoreshë në Universitetin e Shkencave të Avancuara të Kiotos, ndan të njëjtin mendim dhe thotë se shumë kompani japoneze janë tepër ngurruese ndaj rrezikut për të eksploruar AI-në. “Sfidat e integrimit të saj janë të njëjta me integrimin e çdo ndryshimi tjetër në firmat japoneze.
Kjo është arsyeja pse përdorimi i AI-së është ende mjaft i kufizuar dhe i kujdesshëm, veçanërisht në mjedisin e punës”. Sektori i kujdesit shëndetësor në Japoni thuhet se është veçanërisht i ngadaltë në integrimin e AI-së. Disa spitale, madje, ende nuk i kanë digjitalizuar dosjet e pacientëve.
Qeveria japoneze është e vetëdijshme për problemin e integrimit të ulët të AI-së dhe po përpiqet të nxisë më shumë kompani që ta përqafojnë këtë teknologji. Vitin e kaluar, Parlamenti i vendit miratoi Ligjin për Promovimin e AI-së. Qeveria beson se përdorimi më i gjerë i AI-së mund ta ndihmojë Japoninë të përmirësojë produktivitetin.
Aktualisht, Japonia vazhdon të ketë nivelin më të ulët të produktivitetit ndër vendet e grupit G7. Eksperti i teknologjisë, Yasushi Ogasawara, thekson se kompanitë japoneze janë nën më shumë presion për të shmangur rritjen e papunësisë sesa për të zhvilluar AI që mund të çojë në humbjen e vendeve të punës.
“Qeveria po flet për AI, ri-aftësim dhe aftësi digjitalizimi, por në realitet është e vështirë t’i përshtatësh burimet njerëzore me aftësitë digjitale, sepse prioriteti kryesor është ruajtja e punësimit të plotë”, thotë ai. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
