Qyteti bullgar Burgas është zgjedhur si nikoqir i Eurovision Song Contest 2027, pas fitores historike të Bullgarisë me Dara dhe këngën “Bangaranga” në Eurovision 2026 në Vjenë. Kjo do të jetë hera e parë që Bullgaria organizon festivalin më të madh muzikor në Evropë. Konkursi do të mbahet në Arena Burgas, ndërsa dy gjysmëfinalet do të zhvillohen më 11 dhe , kurse finalja e madhe më 15 maj.
Burgas Përveç tri netëve të spektaklit, në qytet do të organizohen edhe një sërë aktivitetesh gjatë gjithë javës së Eurovisionit. Burgasi u përzgjodh pas një gare mes Burgasit, Sofjes, Varnës dhe Plovdivit. Në fazën përfundimtare të përzgjedhjes, Burgasi dhe Sofia mbetën dy kandidatët kryesorë.
Organizatorët vlerësuan infrastrukturën e qytetit, arenën moderne, kapacitetet e akomodimit, transportin dhe mundësinë për të mirëpritur mijëra artistë, delegacione, gazetarë dhe fansa nga e gjithë bota. Gjatë javës së Eurovisionit pritet të zhvillohet një program i gjerë kulturor dhe argëtues, përfshirë Eurovision Village, EuroClub, ceremoninë e hapjes dhe aktivitete të tjera.
Edhe Sofia, Plovdiv dhe Varna do të përfshihen në programin shoqërues, duke bërë që Eurovisioni të mos jetë vetëm një event i Burgasit, por një festë në të gjithë Bullgarinë. Burgasi, i cili ndodhet në bregdetin e Detit të Zi, njihet për plazhet, parqet, jetën kulturore dhe aktivitetet e shumta verore.
Organizatorët shpresojnë që Eurovisioni t’i japë qytetit një mundësi të jashtëzakonshme për të promovuar turizmin dhe kulturën e tij para miliona njerëzve në mbarë botën. Eventi pritet gjithashtu të sjellë mijëra vizitorë ndërkombëtarë, duke ndikuar pozitivisht në hotele, restorante, transport dhe bizneset lokale.
Për Bullgarinë, organizimi i Eurovisionit përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të treguar kulturën, mikpritjen dhe potencialin turistik të vendit. Eurovision 2027 në Burgas do të jetë kështu një ngjarje historike për Bullgarinë, e cila për herë të parë do të presë artistët dhe fansat e konkursit në një prej qyteteve të saj më të njohura bregdetare.
