Një person me inicialet F. S. është arrestuar sot herët në mëngjes më , në pikën kufitare në Merdare, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”. Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila njoftoi se arrestimi është kryer me urdhër të saj nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
Sipas Prokurorisë, F. S. është shtetas i Republikës së Kosovës dhe është arrestuar pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga autoritetet kompetente.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në pikën kufitare në Merdare të Podujevës, kanë arrestuar një shtetas të Republikës së Kosovës, me inicialet F. S., nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Spiunazh’”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me veprimtarinë për të cilën dyshohet i arrestuari, personat apo strukturat me të cilat dyshohet se mund të ketë pasur lidhje, apo informacionin që dyshohet se është siguruar ose përcjellë. Institucioni ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”- thuhet në njoftim.
Prokuroria ka theksuar se institucionet do të vazhdojnë ndjekjen penale të personave për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, veçanërisht në rastet që lidhen me cenimin e sigurisë kombëtare.
