Gjysma e grave afgane tani dalin nga shtëpitë e tyre vetëm një ose dy herë në muaj pasi masat shtrënguese të talebanëve ua kufizojnë lirinë e lëvizjes dhe pjesëmarrjen në jetën publike, tregojnë të dhënat të publikuara të mërkurën () nga UN Women (OKB për Gratë), raporton Reuters .
Ndërsa talebanët përgatiten ta shënojnë këtë javë përvjetorin e pestë të kthimit në pushtet, Afganistani mbetet i vetmi vend në botë që u ndalon vajzave arsimin e mesëm dhe grave universitetin, ka deklaruar agjencia e OKB-së, e cila promovon barazinë gjinore.
“Gjysmë dekade pas marrjes së pushtetit nga talebanët në gusht 2021, Afganistani ka shpërbërë sistematikisht të drejtat e gjysmës së popullsisë së tij, duke e bërë atë përjashtim global të pakrahasueshëm në botën moderne”- thuhet në deklaratën e OKB-së për Gratë në një deklaratë.
Ministria e drejtuar nga talebanët për Përhapjen e Virtytit dhe Parandalimin e Vesit, e cila zbaton shumë nga rregullat e qeverisë për gratë, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Reutersit për koment. Zëdhënësi kryesor i qeverisë, Zabihullah Mujahid, gjithashtu nuk iu përgjigj kërkesë për koment zyrtar.
Talebanët ua kanë ndaluar rreth 2.4 milionë vajzave afgane arsimin e mesëm qëkur rimorën pushtetin në Afganistan më 2021, ka njoftuar të martën Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).
Organizata e OKB-së për Gratë ka thënë se autoritetet talebane kanë nxjerrë më shumë se 100 dekrete që cak i kanë gratë dhe vajzat qëkur morën pushtetin, duke institucionalizuar diskriminimin dhe thelluar atë që e përshkroi si krizën më të rëndë të të drejtave të grave në botë.
Talebanët argumentojnë se i respektojnë të drejtat e grave në përputhje me interpretimin e tyre të ligjit islamik dhe kulturës afgane. Më shumë se gjysma e grave të anketuara nga agjencia e OKB-së raportuan se dalin nga shtëpia dy herë në muaj ose më pak, ndërsa gati tri të katërtat kanë treguar se ndihen të pasigurta duke dalë pa kujdestar mashkull, të njohur si “mahram”.
Kufizimet kanë nxitur gjithashtu krizë të përkeqësuar të shëndetit mendor, sipas agjencisë së OKB-së. Shtatë në 10 gra e përshkruajnë shëndetin mendor si “të keq” ose “shumë të keq”, duke përmendur izolimin, humbjen e mundësive dhe qasjen e kufizuar në rrjetet mbështetëse. Agjencia ka paralajmëruar se dekretet e fundit e kanë dobësuar më tej mbrojtjen ligjore të grave.
Masat e futura sivjet shfuqizuan barazinë ligjore midis burrave dhe grave para ligjit, forcuan autoritetin e burrave brenda martesës dhe e bënë më të vështirë për gratë ta fitojnë divorcin. Gratë gjithashtu mbeten kryesisht të përjashtuara nga ekonomia. Vetëm 7% e grave janë të punësuara krahasuar me 84% të burrave, sipas raportit të OKB-së për Gratë.
Agjencia ka raportuar se raporti është bazuar në anketën derë më derë me 2.190 persona në shkurt deri në mars 2025 dhe anketa telefonike me 2.811 persona të kryera nga prilli deri në maj 2026. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
