Shpërndaje në: Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës po qëndrojnë në sallën e Kuvendit, duke bërë thirrje për vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Të dyja këto parti i kanë bërë thirrje kryesuesit Avni Dehari që të ftojë vazhdimin e kësaj seance. Deputetët e PDK-së janë duke mbajtur fjalime në foltoren e Kuvendit.
Paraprakisht, PDK-ja përmes një letre drejtuar Deharit, ka thënë se ndonëse moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese, tejkalimi i këtij afati nuk e shuan detyrimin për përfundimin e procesit të konstituimit.
“Obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e PDK-së. PDK-ja ka kërkuar që seanca të thirret pa vonesa dhe deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të tyre. Edhe deputetët e Aleancës janë duke qëndrar në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Të premten ka përfunduar afati 30-ditor për konstituim. Megjithatë, vazhdimi i seancës së nisur të enjten u mbajt të shtunën. Por edhe në këtë seancë, kryetari i subjektit më të madh politik, Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për të negociuar me partitë tjera për çështjen e presidentit.
Pas kësaj, ai u bë cak i hedhjeve me vezë nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj. PDK-ja ka refuzuar takimet me Kurtin. Njësoj ka vepruar edhe Aleanca. I vetmi “partner” potencial deri tash është Lidhja Demokratike me të cilën ka pasur katër takime, por se të dyja palët kanë vlerësuar se janë larg marrëveshjes.
Vetëvendosje e vetme me partitë pakicë i ka numrat në Kuvend për konstituim dhe formimin e Qeverisë. Megjithatë, Kurti ka deklaruar se pa u zgjidhur çështja e presidentit – që kërkon 80 deputetë në sallë në dy rundet e votimit – atëherë “pashmangshëm shkohet në zgjedhje”. Vetëvendosje i ka 53 deputetë, ndërsa LDK-ja 18.
