Opozita në Kosovë po bëhet gjithnjë e më iracionale, por mbi të gjitha gjithnjë e më destruktive në mënyrën se si po sillet ndaj formimit të institucioneve shtetërore. Në demokraci, pushteti nuk merret me bllokada, me tensione, me presion dhe as me dhunë politike. Pushteti fitohet me votën e qytetarëve. Dhe po me votën e qytetarëve edhe humbet.
Albin Kurtin nuk e solla unë, nuk e solli opozita dhe nuk e solli ndonjë marrëveshje prapa dyerve të mbyllura. E solli vota e popullit. Për sa kohë që qytetarët ia japin besimin, ai ka mandat demokratik të qeverisë. Kur qytetarët të vendosin ndryshe, ai duhet ta pranojë atë vendim. Pikërisht kështu funksionon demokracia.
E njëjta gjë vlen edhe për opozitën, ajo është në Kuvend sepse qytetarët e kanë votuar. Por askush nuk ka të drejtë ta interpretojë votën e qytetarëve si leje për ta mbajtur peng shtetin. Kjo nuk është më thjesht një garë politike.
Kur institucionet bllokohen për interesa partiake, kur çdo proces demokratik shndërrohet në konflikt dhe kur vullneti i qytetarëve përpiqet të anulohet përmes procedurave dhe pengesave të pafundme, atëherë kemi një problem serioz me kulturën demokratike. Dhe këtu lind pyetja më e rëndë: çfarë fshihet pas kësaj nevoje kaq të madhe për ta mbajtur shtetin të bllokuar?
Nëse dikush ka frikë nga hetimet, transparenca apo drejtësia, kjo nuk mund të jetë arsye për ta penguar funksionimin e institucioneve. Nëse ekzistojnë dyshime për shantazh, korrupsion, keqpërdorim të pushtetit, pastrim parash apo krim të organizuar, ato nuk zgjidhen me akuza politike dhe as me bllokim të institucioneve. Zgjidhen nga drejtësia, me prova, hetime dhe përgjegjësi individuale.
Prandaj, unë nuk akuzoj askënd për krim pa prova. Por kërkoj që çdo dyshim serioz të hetohet deri në fund, pavarësisht se kujt i përket pushteti apo opozita. Sepse shteti nuk mund të jetë peng i askujt. Opozita ka të drejtë të kritikojë. Ka të drejtë të kundërshtojë. Ka të drejtë të protestojë. Por nuk ka të drejtë të zëvendësojë votën e qytetarëve me bllokadë politike.
Populli e solli Albin Kurtin aty ku është. Populli do ta mbajë aty për aq kohë sa të besojë tek ai. Dhe populli do ta largojë ditën kur të vendosë ndryshe. Kjo është demokracia. Jo dhuna. Jo shantazhi. Jo bllokada. Jo pazaret e fshehta.
Nëse dikush mendon se mund ta marrë pushtetin duke e lodhur, bllokuar apo paralizuar shtetin, duhet ta kuptojë një gjë shumë të thjeshtë, pushteti në Kosovë i takon qytetarëve dhe vetëm qytetarët kanë fjalën e fundit. Dhe këtë nuk mund ta ndalë askush.
