Galatasaray ka bërë lëvizjen e radhës për të transferuar Gabriel Martinellin nga Arsenali. Klubi turk ka paraqitur ofertë zyrtare prej 45 milionë eurosh për anësorin brazilian, ndërsa propozimi tashmë ndodhet në tavolinën e drejtuesve të Arsenalit. Lajmi është raportuar nga gazetari Florian Plettenberg.
Martinelli është bërë prioriteti kryesor i Galatasarayt në këtë merkato, me kampionët e Turqisë që synojnë të përforcojnë repartin ofensiv për sezonin e ri dhe sfidat në Ligën e Kampionëve. 25-vjeçari është pjesë e Arsenalit që nga viti 2019, kur u transferua nga Ituano.
Megjithatë, e ardhmja e tij në “Emirates” është bërë e pasigurt, pasi klubi anglez po shqyrton mundësinë e largimit të tij. Martinelli aktualisht është në vitin e fundit të kontratës së tij, me Arsenalin që ka një opsion për ta zgjatur atë edhe për një sezon. Galatasaray kishte shfaqur interesim për Martinellin edhe më herët, ndërsa tashmë ka kaluar nga interesimi në një ofertë konkrete.
Topi është në fushën e Arsenalit, i cili duhet të vendosë nëse do ta pranojë propozimin prej 45 milionë eurosh apo do të kërkojë një shumë më të lartë për brazilianin. Nëse marrëveshja realizohet, transferimi i Martinellit do të ishte një tjetër goditje e madhe e Galatasarayt në tregun evropian.
