Mike Maignan ka shtyrë rikthimin nga pushimet dhe bashkimin me Milanin për përgatitjet parasezonale, ndërsa interesimi i ri nga Al-Nassr ka shtuar dyshimet rreth të ardhmes së portierit francez. Sipas raportimeve të Gazzetta dello Sport, klubi saudit, ku aktivizohet Cristiano Ronaldo, ka shfaqur interes konkret për reprezentuesin francez.
Maignan pritej të rikthehej te Milani më 12 gusht, por kthimi i tij është shtyrë deri më 16 gusht. Ky zhvillim, i kombinuar me interesimin e Al-Nassr, ka bërë që e ardhmja e kapitenit të Milanit të vihet sërish në qendër të vëmendjes. Portieri 31-vjeçar kishte qenë edhe më parë pranë largimit nga “Rossonerët”.
Gjatë verës së kaluar, ai kishte marrë një ofertë të rëndësishme nga Chelsea, por Milani nuk ishte i gatshëm të lejonte largimin e tij. Maignan iu bashkua Milanit në vitin 2021 nga Lille, si zëvendësues i Gianluigi Donnarummas. Që prej atëherë, francezi është shndërruar në një prej figurave kryesore të skuadrës dhe aktualisht mban edhe shiritin e kapitenit.
Interesimi i Al-Nassr mund ta rikthejë tashmë në tavolinë mundësinë e një transferimi. Klubi saudit po e monitoron situatën e portierit, ndërsa Milani dëshiron ta mbajë atë në skuadër. Për momentin, nuk ka marrëveshje për transferimin e Maignan te Al-Nassr, por situata pritet të ndiqet me vëmendje gjatë ditëve në vijim, veçanërisht pas rikthimit të tij në Milanello./ Telegrafi
