Një fshat i tërë, i përmbytur gati gjysmë shekulli më parë, është rishfaqur në Angli pasi një thatësirë e zgjatur ka ulur ndjeshëm nivelin e ujit në rezervuarin Rutland Water. Rrënojat e Nether Hambleton, në Midlands Lindore, janë bërë sërish të dukshme. Mure guri, gjurmë ndërtesash dhe konturet e rrugëve të vjetra dëshmojnë për ekzistencën e fshatit, i cili u zhduk nën ujë në vitet 1970.
Më shumë se 3 mijë akra tokë u përmbytën për krijimin e Rutland Water, i cili në atë kohë ishte liqeni artificial më i madh në Evropë. Banorët u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre dhe të zhvendoseshin në zonat përreth. Mes ndërtesave të fundosura kishte edhe shtëpi të shekullit XVIII. Toka bujqësore përreth përdorej kryesisht për kultivimin e elbit dhe grurit.
Elbi eksportohej në Gjermani për prodhimin e birrës, ndërsa gruri përdorej për prodhimin e bukës. Për dekada, mbetjet e Nether Hambleton qëndruan në fund të një lugine, mes gadishullit të sotëm Hambleton dhe vendbanimit të vogël të Lyndon.
