Pothuajse tri të katërtat e Anglisë janë përfshirë tashmë nga thatësia, ka njoftuar qeveria britanike, duke theksuar ndikimin e përkeqësimit të motit të thatë të zgjatur në bujqësi, furnizimin publik me ujë dhe në jetën e egër, raporton Reuters .
Pjesa më e madhe e vendit, 71.3%, po përjeton tani thatësi të menjëhershme të shkaktuar nga kombinimi i reshjeve shumë të pakta dhe temperaturave më të larta. Thatësia është ashpërsuar që nga fundi i korrikut, kur pothuajse gjysma e vendit u shpall si gjendje thatësie.
Përditësimi i fundit përfshin 45 milionë njerëz në një zonë thatësire dhe 27 milionë që jetojnë nën kufizime të përdorimit të ujit. Britania është në prag të valës së pestë të nxehtësisë këtë vit dhe Anglia dhe Uellsi kanë regjistruar përkohësisht korrikun e tyre më të thatë në 190 vjet. Në Anglinë Juglindore ra vetëm 1% e sasisë së reshjeve mesatare të pritura.
“Ne e dimë se sa sfiduese ka qenë kjo verë… Ne po e rrisim mbështetjen tonë duke përfshirë punën për ta bërë më të lehtë për fermerët të ndërtojnë më shumë rezervuarë ujitjeje në vend” – ka thënë ministrja e Ujit, Emma Hardy.
Nivelet e lumenjve, rezervuarëve dhe ujërave nëntokësore vazhdojnë të bien, ndërsa kushtet e vazhdueshme të nxehta dhe të thata po rrisin rrezikun e zjarreve në pyje, ka paralajmëruar qeveria. Rreth 2,877 persona në Britani kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me nxehtësinë sivjet, kanë thënë muajin e kaluar autoritetet shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar.
Nxehtësia po ndikon gjithashtu në shpendët riprodhues, amfibët dhe rezervat e peshqve të ujërave të ëmbla, ka shtuar qeveria. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
