Rusia liron ish-marinsin amerikan pas më shumë se katër vitesh në burg

0%

Rusia ka liruar ish-marinsin amerikan, Robert Gilman, i cili mbahej në burg që nga viti 2022, pasi presidenti rus, Vladimir Putin miratoi faljen e tij për arsye humanitare. Zyrtarët amerikanë thanë se lirimi u bë pas kërkesave të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Gilman, 32 vjeç, ishte transferuar në fund të qershorit nga spitali i burgut në repartin psikiatrik të një spitali civil në Voronezh. Sipas përfaqësuesit të familjes së tij, ai ndodhej në një gjendje të ngjashme me katatoninë, të vlerësuar si “stupor disociativ”, shkruan reuters.

Të martën, Gilman u nis nga Rusia me një avion të Departamentit amerikan të Shtetit drejt aeroportit Washington Dulles. Një zyrtar amerikan që foli me të tha se ai ishte në gjendje të ecte dhe të fliste dhe se, “duke marrë parasysh të gjitha rrethanat”, dukej se ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Gjatë fluturimit, Gilman do të vlerësohet nga katër mjekë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nëna e tij, Nina, ndodhet gjithashtu në avion. Pas mbërritjes në SHBA, ai pritet të dërgohet në një qendër rehabilitimi në San Antonio të Teksasit për trajtim të mëtejshëm. Gilman ishte arrestuar në janar të vitit 2022 në Voronezh, pasi autoritetet ruse e akuzuan se kishte goditur me shkelm një polic ndërsa ishte i dehur.

Babai i tij i ka mohuar akuzat, duke thënë se djali i tij ishte sëmurë në momentin e incidentit dhe se goditja kishte qenë aksidentale. Ai u dënua fillimisht me katër vjet e gjysmë burgim dhe ishte njëri prej të paktën 10 shtetasve amerikanë që dihej se mbaheshin në burgjet ruse.

Zyrtarët amerikanë thanë se lirimi i Gilmanit erdhi pas negociatave intensive mes Uashingtonit dhe Moskës, por nuk ishte pjesë e ndonjë shkëmbimi të të burgosurve. Sipas tyre, Shtetet e Bashkuara nuk bënë lëshime në këmbim të lirimit, ndërsa një zyrtar amerikan e përshkroi atë si “gjest vullneti të mirë”.

Departamenti amerikan i Shtetit shpreson se lirimi i Gilmanit do të pasohet edhe nga lirimi i shtetasve të tjerë amerikanë që mbahen në Rusi, përfshirë Stephen Hubbard, një mësues i pensionuar i dënuar me gati shtatë vjet burg pasi u shpall fajtor për shërbim në një njësi të mbrojtjes territoriale të Ukrainës. Hubbard i ka mohuar akuzat.

Burimi: Telegrafi