Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Senatoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtetin e Ajovës, Joni K. Ernst. Senatorja Ernst ishte e shoqëruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati dhe Agjutantin e përgjithshëm të Ajovës, Gjeneral Major Stephen Osborn.
Gjatë takimit, sipas njoftimit, Gjenerallejtënant Jashari e ka falënderuar senatoren Ernst për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës dhe FSK-së. “Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale dhe të ardhmen e FSK-së, prioritetet e saj, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu, u shkëmbyen qëndrime lidhur me zhvillimet aktuale të sigurisë dhe sfidat e përbashkëta. ”, thuhet në njoftim. Në fund të takimit, sipas njoftimit, Jashari shprehu mirënjohjen për senatoren Ernst për vizitën dhe për kontributin e saj në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të partneritetit dhe marrëdhënieve bilaterale në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
