Programi i internship-it në Federatën Shqiptare të Futbollit u jep studentëve dhe të rinjve mundësinë të fitojnë eksperiencë praktike, të zhvillohen profesionalisht dhe të njihen nga afër me punën në departamente të ndryshme të FSHF-së. Për disa prej tyre, kjo eksperiencë është kthyer edhe në një mundësi punësimi dhe zhvillimi të mëtejshëm profesional.
Drejtoresha e Departamentit të Burimeve Njerëzore në FSHF, Daniela Mujka, u shpreh për fshf.org se internship-i është një mundësi që u jep të rinjve hapësirën për të mësuar, për t’u zhvilluar profesionalisht dhe për të hedhur hapat e parë drejt një karriere.
“Në Federatën Shqiptare të Futbollit, internship-i është më shumë se një praktikë, është një mundësi për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të hedhur hapat e parë drejt një karriere. Studentët që bëhen pjesë e programeve tona dhe punojnë pranë Departamenteve tona, fitojnë një eksperiencë reale ku puna në ekip, profesionalizmi dhe pasioni për futbollin ecin së bashku.
Disa nga ish-praktikantët tanë sot janë edhe kolegët tanë.” Kisela Muçaj është një nga shembujt konkretë se si një internship në FSHF mund të shndërrohet në një mundësi punësimi. Ajo e nisi eksperiencën e saj si praktikante dhe sot është pjesë e stafit të Departamentit të PR.
“Unë nisa internship-in nga një njoftim në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, ishte një mundësi shumë e mirë, pasi në atë moment sapo kisha mbaruar Bachelor-in dhe e gjeta veten shumë afër një stafi shumë profesionist këtu, të cilët më ndihmuan shumë dhe ishin gjithmonë të hapur për të dëgjuar idetë e mia.
Pas kësaj eksperience shumë të mirë në internship, m’u dha mundësia për të punuar pranë Departamentit të PR.” Aktualisht pjesë e programit të internship-it pranë Departamentit Ligjor dhe të Licensimit, Juklida Dosti po fiton eksperiencë në një sërë çështjesh profesionale, ndërsa vlerëson edhe mbështetjen e stafit gjatë kësaj periudhe.
“Prej dy muajsh zhvilloj internship-in pranë Departamentit Ligjor dhe të Licensimit në Federatën Shqiptare të Futbollit, ku praktika ime aty konsiston në marrëdhëniet korrespondente FIFA & UEFA, kontratat dhe çdo çështje tjetër gjyqësore. Gjatë praktikës jam ndjerë shumë mirë, stafi ka qenë shumë mikpritës dhe suportues dhe më ka ndihmuar të rritem profesionalisht.
Në fund të praktikës unë pajisem me një letër reference, e cila mendoj se do të më ndihmojë me mundësitë e punësimit në të ardhmen.” Nga Gjermania në Shqipëri, Hannes Schaarschmidt po e shfrytëzon eksperiencën e internship-it në FSHF për t’u njohur me punën e disa departamenteve dhe për të fituar një eksperiencë të re profesionale jashtë vendit.
“Unë jam Hannes, jam nga Gjermania dhe punoj për Red Bull Leipzig si trajner dhe në akademi. Një mik i imi më prezantoi me mundësinë për të bërë një internship në Federatë, kështu që dërgova aplikimin dhe CV-në time dhe u pranova.
Jam vërtet shumë falënderues dhe mirënjohës për mundësinë që të jem këtu, të mësoj disa gjëra dhe të krijoj eksperiencën time jashtë Gjermanisë.” Për të rinjtë dhe studentët që dëshirojnë të provojnë një eksperiencë të tillë dhe të hedhin hapat e parë drejt një karriere profesionale, FSHF vijon të ofrojë mundësi internship-i në departamente të ndryshme.
Të interesuarit mund të aplikojnë përmes seksionit “Karriera” në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, fshf.org, duke u bërë pjesë e një eksperience që mund t’u shërbejë në zhvillimin e tyre profesional dhe në të ardhmen e karrierës.
