DokuFest XXV eksploron kujtesën, identitetin dhe tregimet që bartim

0%

DokuFest XXV ka vazhduar ditën e katërt të festivalit në Prizren me një program të përqendruar në kujtesën personale, të trashëguar dhe kolektive, duke sjellë për publikun filma dokumentarë, diskutime, masterklasa dhe ekspozita .

Programi i ditës trajtoi tema si identiteti, përkatësia dhe kujtesa, duke vënë në pah rolin e kinemasë dokumentare në ruajtjen e historive dhe lidhjen e përvojave individuale me rrëfimet më të gjera shoqërore. Një nga pikat kryesore ishte Këndi DwP (Dealing with the Past), i kuruar nga Humanitarian Law Center Kosovo, i cili ofroi hapësirë për reflektim, dialog dhe përballje me të kaluarën.

Publiku pati mundësinë të vizitonte edhe ekspozitën “Within Prishtina Warchitecture”, nga Argjirë Krasniqi dhe Brixhita Deda, e cila dokumenton ndërtesat që u shndërruan në hapësira të rezistencës në Prishtinë gjatë viteve 1989–1999.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Gjatë ditës u shfaqën një sërë filmash në kuadër të programeve të ndryshme të festivalit, përfshirë “Douglas Gordon by Douglas Gordon”, “Into the Jaws of the Ogre”, “A City in the Forest”, “Yugo Goes to America” dhe “London”, ndërsa programi i Garës Kombëtare prezantoi pesë filma të shkurtër nga kineastë të rinj kosovarë.

Në kuadër të DokuTalks, diskutimi “Inherited Memory” trajtoi ndikimin e kujtimeve, historive familjare dhe zhvendosjes te kineastët dhe rrëfimet që ata zgjedhin të tregojnë. Në panel morën pjesë Kaki Wong, Edona Ademi, Eneos Çarka dhe Diel Curri, ndërsa diskutimi u moderua nga Besa Luci.

Një tjetër moment i rëndësishëm ishte masterklasa me kineasten Sophie Fiennes, e zhvilluar në bashkëbisedim me kuratoren Pamela Cohn. Fiennes foli për procesin e saj krijues, bashkëpunimet dhe përvojën prej më shumë se tri dekadash në kinemanë dokumentare. Masterklasa u realizua me mbështetjen e British Council përmes Culture Connects Fund.

Mbrëmja u përmbyll me performancën METATERME të Elvin Brandhit dhe Emiddio Vasquez në Kolektiv Radio, e cila ndërthuri tingullin eksperimental, improvizimin, elektronikën, zërin dhe regjistrimet në terren. DokuFest XXV vazhdon gjatë gjithë javës në Prizren me shfaqje filmash, diskutime dhe aktivitete artistike.

Burimi: Telegrafi